Zgjidhja për krizën sistematike që ende zien në rajonin e Ballkanit Perëndimor është të ketë prani më të madhe evropiane në rajon, pasi ndonjëherë gjërat duken sikur jemi harruar nga BE-ja, deklaroi presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski në fjalimin para panelit që diskutoi për zgjidhjet për tejkalimin e krizave, të mbajtur në kuadër të edicionit të pestë të Forumit të Paqes në Paris.
”Është e kuptueshme që në muajt e fundit të gjithë po flasin për situatën e sigurisë në Ukrainë për shkak të agresionit rus atje, por tema e sigurisë është mjaft e njohur edhe për Ballkanin Perëndimor duke pasur parasysh historinë e tij”, shtoi ai.
”Kemi sfida të përbashkëta, trendet demografike nuk janë të favorshme dhe për këtë është e nevojshme të investohet më shumë për të rinjtë, në mënyrë që të kenë më shumë mundësi për sukses në vendin e tyre”, theksoi ai.
Lidhur me bashkësinë politike evropiane, Pendarovski përsëriti qëndrimin se ai duhet të jetë një instrument që do të na ndihmojë në procesin e aderimit në BE dhe jo vetëm një klub debati apo zëvendësues i anëtarësimit në Union, sepse tashmë jemi duke u përballur me tendenca në rritje të euroskepticizmit dhe me një rënie prej mbi 20 për qind të mbështetjes për anëtarësimin në BE.