Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi priti sot Ministrin e ri të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci si dhe delegacionin që e shoqëronte.
Ministri Peleshi vlerësoi faktin që vizitën e parë zyrtare si Ministër i Mbrojtjes, Maqedonci e zhvilloi në Tiranë, duke demonstruar dhe njëherë rëndësinë e marrëdhënieve, miqësinë dhe bashkëpunimin midis dy shteteve tona. Peleshi i shprehu Maqedoncit urimet më të mira për emërimin në këtë detyrë.
Diskutimet mes dy ministrave u fokusuan në bashkëpunimin dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes si dhe vlerësimin e mundësive mbi intensifikimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen. Gjithashtu, dy ministrat biseduan për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimin rajonal si dhe sfidat, me të cilat rajoni po përballet.
Ministri Peleshi siguroi ministrin Maqedonci se Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë do të vijojë kontributin e saj në promovimin e “Politikës së Dyerve të Hapura” në të gjitha iniciativat rajonale dhe ndërkombëtare, duke ndihmuar kështu anëtarësimin e Kosovës në veçanti, por dhe çdo vendi tjetër në Ballkanin Perëndimor që aspiron integrimin në strukturat Euro-Atlantike.
Nga ana e tij, ministri Maqedonci shprehu falënderimet mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj çështjes së Kosovës, ndërsa u ra dakord për identifikimin e fushave të reja të bashkëpunimit për të intensifikuar më tej raportet mes Kosovës e Shqipërisë./tvklan.al