E patolerueshme futja e forcave serbe në Kosovë
Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi kërkoi kthimin në shtëpitë e tyre të tre policëve kosovarë të rrëmbyer nga forcat serbe në Veri të Kosovës. Duke folur në Ministerialin e Mbrojtjes të vendeve të NATO-s që po mbahet në Bruksel, ministri Peleshi theksoi se forcat ushtarake apo policore të Serbisë nuk kanë të drejtë të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.
Ai nënvizoi se në këtë moment duhet të shikohet me prioritet dhe urgjencë kthimi në shtëpitë e tyre të tre policëve kosovarë të rrëmbyer.
“NATO duhet të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e FSK-së si një institucion themelues që do të garantonte siguri për të gjithë qytetarët. Njohja e Kosovës dhe integrimi i saj euroatlantik janë hapa të rëndësishëm drejt garantimit të stabilitetit të qëndrueshëm në rajonin tonë”, tha Peleshi.
Ndërkaq, ministri Peleshi theksoi gjatë fjalës së tij edhe rëndësinë që Aleanca duhet t’i japë rajonit të Ballkanit.
“Ne mbështesim plotësisht mandatin e KFOR-it dhe punojmë intensivisht me aleatët për të parandaluar një përshkallëzim të situatës, duke kontribuar në të njëjtën kohë për lehtësimin e dialogut Prishtinë-Beograd”, shtoi më tej Peleshi.
Lidhur me zhvillimet në Ukrainë, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi mbështeti propozimin e ri për formimin e Këshillit NOTO-Ukrainë, i cili tregon vendosmërinë e palëkundur si Aleancë, duke zbatuar standardizimin e NATO-s në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë.
Në këtë Ministerial, Shqipëria theksoi rëndësinë e proceseve transformuese të NATO-s në përballje me sfidat gjithmonë e në ndryshim të mjedisit të sigurisë. Vendi ynë garantoi mbështetjen për zhvillimin e planeve rajonale dhe të gjithë familjes së planeve të shkurajimit dhe mbrojtjes, për të garantuar Aleancën nga kërcënimi rus dhe ai i grupeve terroriste.
Ministri Peleshi vuri në dukje se Shqipëria do të vijojë të mbështesë me një qasje gjithëpërfshirëse masat për forcimin e deterencës dhe mbrojtjes, duke rritur edhe më tej kontributin tonë në misione, operacione dhe aktivitete, në tokë dhe në det.
“Ne mbështesim Modelin e përmirësuar të forcave të NATO, po përshtatim sistemin e gatishmërisë dhe do të kontribuojmë në zbatimin e planeve duke përshtatur praktikat tona dhe vendosur në dispozicion infrastrukturën kritike si ajo e Bazës së Kuçovës dhe Portin e Porto Romano”, u shpreh ministri Peleshi.
Ministri i Mbrojtjes siguroi vendet aleate se Shqipëria në vitin 2024 do të dedikojë 2% të GDP-s për mbrojtjen duke u investuar gjithmonë e më shumë në këtë drejtim. Ai mbështeti Planin e Veprimit të NATO-s për Prodhimin e Mbrojtjes për rikuperimin e kapaciteteve.
Gjatë punimeve të këtij takimi, ministri Peleshi zhvilloi dhe takime informale me përfaqësuesit e industrisë së mbrojtjes si dhe u takua me homologët të vendeve të ndryshme, ku u diskutua për çështje në interes të rritjes dhe bashkëpunimit në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes./tvklan.al