Partia Demokratike e Enkelejd Alibeajt ka hapur pasditen e sotme fushatën në Tiranë.
I pranishëm në hapjen e fushatës është edhe Preç Zogaj, i cili gjatë fjalës së tij në podium iu ka bërë thirrje qyetetarëve që të votojnë PD-në e Alibeajt dhe kandidatëve të tij.
Mes të tjerash, Zogaj ka deklaruar se kjo është partia e busullës dhe jo e vulës, për të cilën ka thënë se vetëm sa vjen e rritet në numra.
Preç Zogaj: PD ka përjetuar përplasje, bashkime e ndarje përsëri. Për herë të parë, që nga Shtatori i vitit 2021, PD fillon dhe vazhdon të përballet me një çështje të pangjashme të mëparshme që është përtej diversitetit që duhet të mbajë të bashkuar PD, është çështja e orientimit, ose thënë ndryshe se me kë është sot PD në botë, kush e do PD-në sot në botë? Është një parti që do t’i mbajë dyert e hapura për aleatët e vet, apo që do të jetë në marrëdhënie të prishura me MB, SHBA i cili është i sanksionuar non-grata, Berisha? Kjo është një çështje serioze, nuk është një çështje që kemi krijuar ne. Për këtë ka ndodhur ndarja dhe për këtë vazhdon e të tjerat janë tymnajë për të fshehur të vërtetën. Euroatlantizmi për PD-në është të jesh apo të mos jesh. PD është vetëm euroatlantike, nëse nuk është europiane, ajo nuk është më PD. Marëdhëniet me BE-në apo me SHBA-në janë më të rëndësishme se pushteti që shkon dhe vjen. Të tjerët mund të spërdridhen, ne jo.
Shumë prej miqve tanë që nuk janë këtu, të hutuar, të turbulluar do ta kuptojnë se kjo është rruga e drejtë, e vetmja e duhur dhe e vetmja e hapur. Kam dëgjuar Bejkon të thotë se do të jeni të mirëpritur të na gjeni në këtë rrugë dhe të bëhemi sërish bashkë, unë jam shumë dakord me këtë. Kjo kohë erdhi me dëm, por erdhi dhe me një sprovë. PD-ja ngjan në këto momente grupimeve krijuese që nuk është e thënë të jenë shumicë menjëherë, por të jenë krenarisht pakica krijuese që mban pishtarin e ideve të mira që cakton drejtimin dhe shpëton të ardhmen. Kjo është partia e busullës, jo thjesht e vulës apo e logos. Kjo parti nuk pakësohet më, por vetëm rritet. Nga kjo tribunë dëshiroj të ju drejtoj një thirrje njerëzve të lirë që t’i japin një dorë shpëtimit të PD-së e të votojnë numrin 9, kandidatët e PD-së./tvklan.al