‘Pija‘ prish marrëdhënien në Bavari, Barcelona në ‘Pole Position’
Tre vite më parë u ble me shumë bujë, por shkëlqimi i Benjamin Pavard te Bayern Munich mund të përfundojë më shpejt nga sa ishte parashikuar. Ndalimi nga policia duke drejtuar makinën në gjendje të dehur po shtynë gjithnjë e më shumë drejtuesit gjerman për të shitur mbrojtësin francez, të marrë nga Shtutgart në 2019 për shifrën e 35 milionë eurove.
Sipas tabloidit gjerman “BILD”, mes palëve ka pasur ngritje zërash dhe largimi nga “Allianz Arena” në fundin e sezonit aktual është mëse i mundshëm.
Një situatë që shihet me mjaft interes nga Barcelona, ekip i interesuar për të firmosur me 26-vjeçarin, të cilit me Bayern i skadon kontrata në verën e vitit 2024. Barcelona e konsideron Pavard si idealin për të forcuar krahun e djathtë të mbrojtës, duke i hapur kështu rrugë largimit të Sergi Roberto.
Shitja e lojtarit të kombëtares franceze shihet si një burim zhgënjimi për bavarezët, fanellën e të cilët e ka veshur prej vitit 2019, duke kontribuar në fitimin e Ligës së Kampionëve, tre titujve të Bundesligës dhe Kupën e Gjermanisë. Pavard është i aftë për të luajtur në çdo pozicion të mbrojtjes, teksa këtë sezon është aktivizuar në 18 sfida, duke shënuar edhe katër gola. Klan News