Patentë shoferët do të vlejnë deri në fund të vitit

MICEVSKI: ZGJIDHJA LIGJORE TEJKALON PROBLEMIN E QYTETARËVE

Patentë shoferët do të jenë të vlefshme edhe tej. Kjo pas votimit të propozim ndryshimeve të Ligjit për Siguri në Komunikacionin Rrugor, të cilat në Kuvend u propozuan dhe u miratuan me marrëveshje të përbashkët të deputetëve të pushtetit dhe opozitës. Propozim ndryshimet u dorëzuan me nënshkrimin e deputetëve Nikolla Micevski, Martin Kostovski, Vjollca Ademi, Adnan Neziri, Dimitar Apasiev dhe Pavle Trajano ndërsa u miratuan me 90 vota “për” dhe asnjë kundër. Me këto ndryshime, patentë shoferët me emrin e vjetër të shtetit do të vlejnë deri në fund të vitit. Deputeti i VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski tha se në këtë mënyrë do të tejkalohet problemi i qytetarëve.

“Në këtë seancë morëm vendim të përbashkët për të propozuar miratimin e ndryshimeve në Ligjin për siguri në komunikacionin rrugor. Këto janë ndryshime të vogla të zgjidhjes ligjore në dispozitën ku në nenin 5 fjalët 12 shkurt 2024, pra sot, zëvendësohen me fjalët 31 dhjetor 2024 ose deri në fund të vitit. Besojmë se kjo zgjidhje ligjore do të ndihmojë në tejkalimin e problemeve me dokumentet personale, patentë shoferët e qytetarëve”, tha Nikolla Micevski.

Marrëveshja mes partive parlamentare për ndryshimet e Ligjit i cili mundësoi vlefshmërinë e patentë shoferëve, u arrit sot në takimin mes Kryetarit të Kuvendit, Jovan Mitrevski me deputetët e partive të tjera parlamentare. Dje Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se më 13 shkurt, nga ora 00:00, dokumentet e udhëtimit me emrin Republika e Maqedonisë nuk do të vlejnë dhe do të jenë të vlefshme vetëm dokumentet e udhëtimit me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut. Kjo është në përputhje me ndryshimet ligjore të miratuara të cilat dalin nga Marrëveshja e Prespës. Edhe presidenti Stevo Pendarovski u ka bërë thirrje deputetëve që të gjejnë zgjidhje ligjore me të cilën patentë shoferët do të jenë të vlefshme./tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share