“Pastrimi i mbetjeve të Shqipërisë pjesë e axhendës me Ramën”, Erdogan për organizatën FETO: Lufta me këtë strukturë do të vazhdojë

Teksa Kryeministri Rama ndodhet në vizitë zyrtare në Turqi, së bashku me Presidentin turk Rexhep Taip Erdogan kanë mbajtur një deklaratë të përbashkët për mediat.

Gjatë fjalës së tij, Erdogan tha se pjesë e diskutimit me Ramën ishte edhe organizata FETO, për të cilën u shpreh kështu: Pjesë e axhendës tonë ishte edhe pastrimi i mbetjeve të Shqipërisë, e cila vazhdon aktivitetet e saj me qëllim për të hedhur hije mbi marrëdhëniet tona. Ne nuk do të lejojmë që kjo të arrijë objektivat e saj dhe shikojmë që edhe autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme për këtë. Lufta jonë me këtë strukturë do të vazhdojë dhe falenderoj për kontributin që i ka dhënë Fondacionit Turk që vazhdon aktivitetin e arsimit në Shqipëri. Ne kemi bindje se ky kontribut do të vazhdojë dhe periudhën e ardhshme.

Presidenti turk Erdogan u shpreh se bashkëpunimi me Shqipërinë vijon të rritet, teksa tha se është konfirmuar vendosmëria për të ngritur në nivel më të lartë marrëdhëniet Turqi-Shqipëri. Erdogan shtoi se objektivi është që volumi tregtar mes dy vendeve të shkojë 2 miliardë Dollarë.

“Bashkëpunimi jonë vazhdon të zhvillohet. Sot, në mbledhjen e parë, konfirmuam vendosmërinë për të ngritur në nivel më të lartë marrëdhëniet tona. Theksova rëndësinë që i jep Turqia rritjes së mirëqenies së popullit shqiptar. Volumi tregtar ka arritur në 1 miliardë Dollarë, objektivi është që të shkojë 2 miliardë Dollarë. Kam besim se do ja arrijmë kësaj shifre në një kohë shumë të shkurtër. Më shumë se 600 firma turke kanë punësuar mijëra shqiptarë në mbështetje të ekonomisë vendase. Do të vazhdojmë të punojmë për të rritur investimet. Do të vazhdojmë me projektet tona përmes agjencisë TIA. Marrëveshja që nënshkruam, do të forcojë dhe më shumë bashkëpunimin tonë.”

Presidenti Erdogan i kujtoi kryeministri Rama premtimin që i dha për ndërtimin e spitalit të Fierit për një kohë shumë të shkurtër, teksa shtoi se do të vazhdojnë që ta menaxhojnë bashkë.

“Në Janar 2021 dhamë premtimin se do të ndërtonim brenda 3 muajve një spital në Shqipëri. Vendosëm bast dhe ne e mbajtëm fjalën dhe për 3 muaj e ndërtuam spitalin e miqësisë në Fier. Do të vazhdojmë ta menaxhojmë bashkë këtë spital. Edhe këtej e tutje, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë popullit shqiptar.”

Presidenti Erdogan u shpreh se në takimin me Kryeministrin Rama, pjesë e diskutimit ishin edhe zhvillimet në rajon.

“Shkëmbyem mendime lidhur me zhvillimet në rajon. Turqia dhe Shqipëria dhe do të vazhdojnë dialogun në lidhje me Ballkanin.”

Gjatë fjalës së tij, Erdogan u ndal dhe tek lufta Izrael-Hamas dhe tek qëndrimi i Shqipërisë lidhur me këtë konflikt.

“Trajtuam dhe shtypjen izraelite në territoret e pushtuara izraelite dhe në Gazë. Diskutuam për garantimin e një të ardhme të sigurtë për vëllezërit tanë palestinezë. Proceset që vazhdojnë, kanë treguar qartë qëndrimin tonë në këtë çështje. Edhe Shqipëria ka zënë vend në anën e drejtë të historisë. Kjo është shumë e rëndësishme.”

Në fund të fjalës së tij, Erdogan u falenderoi kryeministrin Rama dhe ministrat për vizitën si dhe uroi që marrëveshjet e firmosura mes 2 vendeve të jenë të dobishme.

“Me mikun tim do të t’i vazhdojmë kontaktet. Uroj që vendimet e marra dhe marrëveshjet e firmosura të jenë të dobishme. Për kontributet që ka dhënë, kryeministrin Rama e falenderoj dhe Zoti e ruajtë dhe e forcoftë këtë marrëdhënie”, u shpreh Erdogan.

/tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share