Sipas ekspertëve autoritetet tajvaneze për këtë tërmet ishin më të përgatitura se për atë që ndodhi në 1999

Ekipet e shpëtimit në Tajvan po përballen me kërcënimin e rrëshqitjeve të dherave ndërsa janë në garë me kohën për të gjetur të tjerë persona të cilët janë të bllokuar në tunele si dhe në një park kombëtar.

Bilanci i të vdekurve ka arritur në 12 ndërsa numri i të plagosurve ka kaluar mbi 1000. Rreth 50 pasgoditje tronditën zonën gjatë natës, disa u ndjenë deri në Taipei, ekipet e shpëtimit thanë se rreth 400 njerëz në një hotel luksoz në parkun kombëtar të Grykës Taroko u evakuuan si masë sigurie.

Autoritetet së bashku me helikopterë kanë dërguar ndihma si veshje dhe ushqime për banorët në zonat ku janë prekur më shumë. Shumë familje janë rikthyer në shtëpitë e tyre tanimë të dëmtuara dhe shprehen se është shumë herë më e rrezikshme për të jetuar teksa pasgoditjet vijojnë.

“Shtëpia është bërë kështu, kur fillimisht ishte një shtëpi e mirë. Më vjen keq që nuk është më si më parë, tanimë paslëkundjet nuk mund të jetojmë më në të. Kam frikë se djali im dhe gruaja do të duhet të jetojë në një vend  ku mund edhe të shembet nga ndonjë tërmet tjetër i fuqishëm.”

Tajvani ndodhet pranë kryqëzimit të dy pllakave tektonike dhe shumë prej tyre janë të përqendruar përgjatë bregdetit piktoresk, kryesisht rural dhe me popullsi të rrallë lindore. Më shumë se 100 njerëz u vranë në një tërmet në Tajvanin jugor në vitin 2016, ndërsa një tërmet me magnitudë 7.3 vrau më shumë se 2,000 njerëz në vitin 1999.

Tërmeti i vitit 1999, nxiti qeverinë që të rishikonte kodet e ndërtimit dhe të forconte ligjet e menaxhimit të fatkeqësive. Për shumë ekspertë tërmeti prej 7.2 ballë i shkallës Rihter që goditi Tajvanin në fillim të javës tregoi se këtë herë autoritetet dhe njerëzit ishin më të përgatitur. Më pak se një orë nga koha kur tërmeti i fundit goditi ishullin, qeveria në qytetin jugor të Kaohsiung kishte mobilizuar ekipet e saj të shpëtimit për të shkuar në Hualien. Qytetet dhe qarqet e Tajvanit kanë shpëtimtarë në gatishmëri 24 orë në ditë, të gatshëm për t’iu përgjigjur fatkeqësive.

Klan News