Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se Policia e Kosovës ka rritur tashmë praninë e saj në veri.
Ai ka theksuar se e kanë shtuar praninë e forcave të Njësisë Speciale dhe i kanë reduktuar patrullimet e policëve të zakonshëm.
“E kemi shtuar prezencën dhe vigjilencën përreth brezit kufitar. Po ashtu, kemi shtuar prezencën e njësisë speciale të policisë së Kosovës në veriun e Kosovës. I kemi reduktuar paksa patrullimet e policëve të zakonshëm, për shkak se nuk kanë nivel të tillë të mbrojtjes për t’u përballur me ndonjë sulm të mundshëm”, ka thënë Hoxha në një deklarim për Radion Evropa e Lirë.
Ai nuk ka ofruar detaje se për sa janë forcuar kapacitetet e njësisë speciale, por ka thënë se institucioni që ai drejton, është vazhdimisht në koordinim me misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR, dhe me atë të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX.
Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin pasues të Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e tetë të arrestuar. Prej të arrestuarve, tre janë dërguar në paraburgim e katër janë liruar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.
Institucionet e Kosovës kanë fajësuar Serbinë se qëndron prapa sulmit.
Tashmë janë publikuar pamje që tregojnë se si grupi i armatosur ka lëvizur në Manastirin e Banjskës. Ministri i Brendshem Xhelal Sveçla ka publikuar pamje në të cilat shihet edhe zëvendëskryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.