Pas revizionit, Prokuroria hap disa pista hetimi në Spitalin e Manastirit

“Në kërkim të fajtorit” –  PTHP dhe Revizioni në bashkëpunim të ngushtë

Raporti i Revizionit Shtetëror nxorri në pah një sërë dyshimesh për keqpërdorime në punën e Spitalit klinik të Manastirit. Dyshimet më të mëdha janë për keqpërdorime finanicare të lidhura me pagesa të dyshimta për kujdestari e angazhim të personelit jomjekësor apo edhe për pagesa të orërve të tepërta të punës. Për këto është angazhuar edhe Prokuroria Publike, prej ku, për REL në gjuhën maqedonase, thonë se janë hapur disa hetime për funksionimin e këtij spitali, ndërsa së fundmi, hetimet bazohen në raportin e Entit Shtetëror për Revizion.

 “PTHP Manastir ka konstatuar një rast tjetër për të cilin në vijim, në bazë të kontrolleve të bëra, do të vendoset nëse do të trajtohet veçmas apo do të bashkohet me lëndën mëparshme. Prokurori publik kompetent do t’i drejtohet Entit Shtetëror për Revizion për shkëmbim të drejtpërdrejtë të informacionit me auditorët që kanë përgatitur raportin e auditimit për punën e spitalit”, thonë nga PTHP.

Bashkëpunimin me Prokurorinë e ka konfirmuar edhe kryerevizori shtetëror Maksim Acevski në një intervistë javore për Radion Evropa e Lirë. Të gjitha provat që e mbështesin raportin e auditimit janë dorëzuar në Prokurori dhe pritet që të veprojë sipas pretendimeve, thotë Acevski.

“Për spitalin e Manastirit raporti i auditimit është dorëzuar para tridhjetë ditësh, ndaj pres që të ndiqet e njëjta procedurë si në Klinikën e Onkologjisë. Të dy raportet e auditimit janë dorëzuar në prokuroritë publike, jemi në komunikim të vazhdueshëm me prokurorët publikë kompetentë dhe si institucion suprem i auditimit dhe si institucion që në thelb i kryen vetë auditimet, jemi në dispozicion për çdo gjë që do të kërkohet”, ka thënë kryerevizori Maksim Acevski.

Është konstatuar se në kuadër të Spitalit të Manastirit ka edhe aparat për të sëmurët me kancer, por që nuk është vënë asnjëherë në funksion. Në këtë spital nuk funksionon as mënyra zyrtare e lënies së termineve.

Ndryshe, për pagesën e udhëtimeve dhe mëditjeve në Spitalin Klinik – Manastir për periudhën 2018-2021, Prokuroria Themelore Publike në Manastir tashmë ka ngritur kallëzim kundër drejtorit për çështje ekonomike dhe financiare dhe kryeinfermieres./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share