Qeveria: Adresojmë çdo shqetësim në mënyrë të shpejtë
Pas presioneve të forta të ndërkombëtarëve për shtyrjen e vendimit për heqjen nga përdorimi të dinarit serb, qeveria e Kosovës po jep sinjale tërheqjeje.
Kryeministri Albin Kurti në takimin me ambasadorët e SHBA dhe shteteve të BE ka shprehur gatishmërinë që të adresojë në mënyrë të shpejtë çdo shqetësim të ngritur nga faktori ndërkombëtar.
Qeveria njofton se gjatë periudhës së tranzicionit, fokusi do të jetë informimi i bizneseve të cilat operojnë në dinar.
SHBA-ja dhe BE-ja kanë qenë tejet kritike ndaj këtij vendimi, duke kërkuar shtyrjen e zbatimit te tij. Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier pas këtij takimi bëri të qartë se mostërheqja do të ndikojë në marrëdhëniet me SHBA-në.
“Unë po e lë Qeverinë të rikonsiderojë se si do të zbatojë këtë rregullore. Unë mund të them që kërkesa e SHBA-së është që kjo të shtyhet. Ne besojmë që Qeveria do të jetë partneri ynë në këtë çështje. Nëse ajo vendos ndryshe atëherë kjo do të ketë ndikim në kualitetin e partneritetit tonë”.
Në shenjë pakënaqësie ndaj këtij vendimi të qeverisë, serbët e zhvendosur nga Kosova vendosën një bllokadë për tri orë në Rudare, në jug të Serbisë, afër pikës kufitare në Merdare.
Tv Klan