Autoriteti transmetues RTUK vendosi të enjten të ndalojë për dy javë transmetimin e serialit të njohur televiziv në Turqi “Kizil Goncalar” pasi u konsiderua se ishte kundër “vlerave kombëtare dhe shpirtërore të shoqërisë”, tha një anëtar bordi.
Ilhan Tasci, një anëtar i bordit të RTUK që përfaqëson opozitën kryesore, tha në platformën e mediave sociale X se rregullatori kishte vendosur gjithashtu një gjobë administrative prej 3 për qind ndaj transmetuesit Fox TV, në pronësi të kompanisë Walt Disney.
“Kizil Goncalar”, i cili pasqyron ndarjen midis segmenteve fetare dhe laike të shoqërisë, u përball me reagime të menjëhershme pasi u transmetua për herë të parë më 18 dhjetor, edhe pse dy episodet e tij të para kryesuan listat e vlerësimeve dhe patën më shumë se 10 milionë shikime në YouTube.
RTUK shpesh ka penalizuar shfaqjet të cilat i ka etiketuar si shkelje të vlerave morale të Turqisë, strukturës së familjes ose çështje të tjera që i konsideron si joetike, përkatësisht të drejtat e LGBTQ+.
Në shumë raste RTUK është kritikuar për frenimin e lirive.
Producenti Faruk Turgut tha se seriali pasqyronte realitetin sociologjik të Turqisë, duke portretizuar përplasjen midis segmenteve laike dhe fetare të shoqërisë.
“Unë po përpiqem të mbaj një pasqyrë mbi realitetet e shoqërisë turke. Realitetet duhet të diskutohen, ne nuk mund të përparojmë duke i injoruar ato,” tha Turgut sipas të përditshmes Hurriyet.
“Na shpallën luftë, por ne do të luftojmë deri në fund”, tha ai.
Ebubekir Sahin, kryetar i RTUK-së dhe anëtar i partisë në pushtet të presidentit Tajip Erdogan, AK shkroi në X se shikuesit e indinjuar kishin bërë thirrje për anulimin e shfaqjes dhe se posterët e tij të vendosur nëpër Stamboll ishin vandalizuar me ngjyrë të zezë.
Mediat pro-qeveritare e akuzuan shfaqjen si islamofobike. Vëllazëria Ismailaga, një sekt i shquar fetar në Turqi, e kritikoi ashpër serialin.
“Prodhimet në mediat e sotme që synojnë fenë tonë dhe individët e devotshëm duke synuar të denigrojnë emrat e Allahut, librin tonë fisnik Kuranin janë absolutisht të papranueshme,” tha sekti në X.