Pas një viti ndahen rrugët e VMRO-DPMNE-së dhe Arsovskës

KRYETARJA E SHKUPIT KA SHKARKUAR DY FUNKSIONARË NË SHKUP

Shkarkimi nga ana e kryetares, ose largimi vullnetar nga pozicioni, siç pohon sekretari i përgjithshëm i deridjeshëm i Qytetit të Shkupit, Gjoko Vellkovski, për herë të parë pas marrjes së detyrës nga Danella Arskovska, nxjerr në sipërfaqe ndarje të rrugëve me partinë e cila e solli në pushtet. Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski sot është shprehur se ka besim të plotë në dy funksionarët e shkarkuar, duke shtuar se ata do të kenë funksione të reja.

“Besoj plotësisht në kapacitetet e Gjoko Vellkovskit dhe të Zllatko Perinskit”, dy funksionarët e qytetit të Shkupit, këto ditë të shkarkuar nga ana e Kryetares Danella Arsovska. Besim të këtillë sot ka shprehur lideri i opozitares VMRO-DPMNE, me votat e së cilës Arsovska fitoi si kandidate e pavarur në zgjedhjet lokale para një viti, raporton Klan M.

“Për mua është e rëndësishme Shkupi të zhvillohet, për këtë arsye kemi mbështetur kandidat të pavarur. Edhe në jetë ka momente kur e shihni se pritshmëritë nuk janë të tilla siç keni pritur, edhe nga njëra palë, edhe nga pala tjetër, dhe atëherë rrugët mund të ndahen në drejtime të ndryshme.” – deklaroi Mickoski.

Ndarja e rrugëve, siç e definoi Mickoski, me kryetaren e qytetit të Shkupit, erdhi pas njoftimit nga kabineti i Arsovskës se të dy funksionarët, përndryshe kuadro të VMRO-DPMNE-së, janë të përfshirë në aferën për një tender milionësh.

“Arsyeja për shkarkimin e sekretarit Gjoko Vellkovski është ndikimi i tij në një procedurë kontestuese tenderi për realizimin e punimeve në stacionin e pastrimit në vlerë 136 milionë euro, të sigurura nga BERZH dhe BEI. Është shkarkuar së bashku me ushtruesin e detyrës së NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimet”, Zllatko Perinski, për shkak të përpjekjeve për ndikim dhe dyshime për arbitraritet në procedurën për zgjedhjen e kontraktorit në tender milionësh.” – thonë nga qyteti i Shkupit.

Nga ana tjetër Vellkovski pohon se vetë largohet nga pozicioni, që të jetë këshilltar në komunën e Çairit, por edhe për shkak të zhgënjimit nga Arsovska.

“Këtë vendim e kam marrë edhe për shkak të zhgënjimit nga potenciali i dobët për punë dhe mosbashkëpunimi i kryetares Arsovska për realizimin e projekteve kapitale për qytetin e Shkupit. Arsovska ka treguar mbyllje, prioritete të tjera nga  ato që ka premtuar, dinamikë të dobët në realizim, ndërsa problemet grumbullohen.”  – tha Gjoko Vellkovski.

Për momentin nuk ka detaje të tjera rreth pretendimeve për manipulimin me tenderë, por derisa nga pushteti lokal i qytetit të Shkupit shprehin bindjen se nuk do të lejojnë shpenzim të parave të qytetarëve, shumica e akuzojnë Arsovskën për jotransparencë dhe mosrealizim të projekteve që ua ka premtuar shkupjanëve. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share