Pas Forumit të Paqes në Paris Kurti shkoi në Forumin Ekonomik të Vjenës

Kryeministri  i Kosovës, Albin Kurti, nga Parisi i Francës ku mori pjesë në Forumin e Paqes, ka udhëtuar sot për në Vjenë.

Zyra e tij ka bërë të ditur se ai do të marrë pjesë në edicionin jubilar të 20-të të Forumit Ekonomik të Vjenës.

“Me këtë rast, ai do të pranojë Çmimin Vjetor të Forumit Ekonomik “Partneri i Vitit 2023”, që do t’i ndahet Republikës së Kosovës për bashkëpunimin dhe kontributin 15-vjeçar në zhvillimin ekonomik në nivel kombëtar dhe rajonal, si dhe do të jetë pjesëmarrës në panelin e diskutimit me titull “Ndërtimi i Bashkëpunimin Ekonomik në Kohë të Vështira”, nesër prej orës 14:05”.

“Gjatë qëndrimit dyditor, Kryeministri Kurti, po ashtu do të jetë mysafir i ftuar nga Karl-Renner-Institut për të diskutuar mbi temën “Kosova: Shteti i ri demokratik si peng i interesave gjeopolitike”. Diskutim ky që do të mbahet të hënën, duke filluar nga ora 18:00.  Ndërkaq, të martën do të zhvillojë takime me përfaqësues të kompanive private të sektorit të energjisë, për t’i njoftuar më për së afërmi me mundësitë për investime që Kosova ofron në këtë fushë”, thuhet në njoftim.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share