Përfaqësuesi I Shqipërisë ekipi Partizani ka fituar edhe ndeshjen e dytë ndaj Atletic Club D’Escaldes në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës me rezultat 4-1 dhe ka siguruar kualifikim të sigurtë në turin e tretë ku më 10 gusht, në transfertë do të përballet me letonezët e Valmeiras.
Skuadra kampione e Shqipërisë siguroi kualifikim në turin e tretë me rezultatin e përgjithshëm 5-1 5-1 pas 180 minutave lojë.
Autor të golave për ekipin shqiptar ishin Tedi Cara në minutën e 28-të dhe at të 45 të pjesës së pare, Arinaldo Rrapaj në minutën e 64-të dhe Eros Grezda realizoi në minutën e 94-të.
Sulmuesi i Partizanit Tedi Cara I cili në këtë ndeshje realizoi dy gola nga sot është edhe golashënuesi më i mirë në kompeticionet e UEFA-s në historinë e të kuqve.
Lojtari ishte në kuotën e 4 golave të shënuar deri në ndeshjen e sotme ndaj Atletik Eskaldes, teksa ndante vendin e parë me Dorjan Bylykbashin dhe Stenio Zhunior. Por me dy golat e shënuar ndaj skuadrës modeste nga Andorra, Cara ia doli që të merrte i vetëm kryesimin në këtë renditje historike për të kuqtë.
Cara ka shënuar 2 gola në vitin 2021, kur ekipi luajti ndaj Sfintul George, teksa gjeti rrjetën në secilën nga sfidat në Ligën e Konferencës kundër asaj skuadre në atë edicion.
Në sezonin e kaluar ai shënoi një gol ndaj Saburtalos, po në këtë turne.
Ndërsa në edicionin aktual, ai shënoi fillimisht në Ligën e Kampioneve një gol ndaj BATE Borisov, teksa sot shtoi dy të tjerë në Ligën e Konferencës për të vendosur rekordin për të kuqtë.