“MË SHUMË SE DY E TRETA E TË ANKETUARVE NUK KANË BESIM NË ASNJË LIDER”
Anketat e rejtingjeve partiake nisin të shfaqen në skenën politike para zgjedhjeve, përcjellë KlanM. Por, përqindja më e madhe e qytetarëve në këto anketa nuk janë përcaktuar se për cilën parti do të votojnë apo cilin politikan e preferojnë.
Sipas një ankete të porositur nga portali MKD.MK, mbi dy e treta e qytetarëve apo 69.7% e të anketuarve nuk kanë besim në asnjë lider të partive politike.
Anketa është bërë përmes telefonit nga 18 deri 25 shtator, me 1.200 të anketuar.
Prej atyre që janë prononcuar, besim më të madh ka lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski me 12.3%, pasojnë lideri I BDI-së, Ali Ahmeti me 3.7%, Kryeministri Kovaçevski me 3.5% dhe Apasievi nga “Levica” me 3.1%.
Opozita është në epërsi edhe në rejtingjet partiake. Një e katërta e të anketuarve kanë deklaruar se në zgjedhjet e ardhshme do ta votojnë VMRO-DPMNE-në apo 25.1%, BDI-në me 9.7% LSDM-në me 9.5% dhe “Levicën” me 7.1%.
Më shumë se gjysma e të anketuarve vlerësojnë se asnjë nga partitë politike nuk ka kapacitet për të realizuar program të mirë ekonomik. Sipas anketës në zgjedhje do të dalin 52.2% e qytetarëve.
Ndërkaq, në një anketë tjetër, javorja “Fokus” ka prezantuar rezultate tjera. Në pyetjen për politikanin e preferuar, Kryeministri Kovaçevski ka rejtingun 12.8%, ish-lideri I VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski me 11.1%, në vendin e tretë renditet Mickoski me 10.5% dhe të katërtin ish-lideri i LSDM-së, Zoran Zaev me 7.4%.
Javorja “Fokus” dyshon se rejtingu I Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së, ka rënë për shkak të përplasjeve të fundit me Gruevskin./KlanMacedonia