Partitë ekstreme tejkaluan pritshmëritë në Gjermani, Francë e Austri

E djathta ekstreme shënoi fitore të madhe në Gjermani, Francë dhe Austri në zgjedhjet për Parlamentin e BE-së të dielën. Këtë e treguan sondazhet e opinionit, që duke i bashkuar me rezultatet e Holandës shfaqin shenjat e para se në Parlamentin Europian po ndodh një ndryshim i pritshëm djathtas.

Alternativa për Gjermaninë, parti e ekstremit të djathtë, zuri vendin e dytë pas konservatorëve të opozitës me rreth 16% të votave, nga 11% në vitin 2019. Të tre partitë në koalicionin e kancelarit gjerman Olaf Scholz pësuan humbje, sipas sondazheve. Socialdemokratët e Scholz morën rreth 14% të votave.

Rezultatet ishin në përputhje me një ndryshim të pritshëm më të gjerë në favor të partive të djathta në Parlamentin Europian, i cili mbulon një bllok prej 450 milionë qytetarësh.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen festoi rezultatet e arritura pas publikimit të exit-polleve. Ajo qëndron tani një hap larg mandatit të dytë si presidente e Komisionit Europian, institucionit ekzekutiv të BE-së.

“Së bashku i keni fituar këto zgjedhje të BE-së në Gjermani”, tha Von der Leyen, duke folur nga Brukseli.

Tejkalon çdo parashikim e djathta ekstreme në Francë. Sondazhet treguan se partia “Tubimi Kombëtar” e udhëhequr nga Marine Le Pen, doli në krye me më shumë se 30% të votave. Asnjëherë më parë kjo parti nuk ka arritur të marrë kaq shumë vota. Partia Rilindja e presidentit Macron, doli e dyta me 15.2%. Socialistët, të tretët me 14%.Pjesëmarrja në Francë arriti afërsisht 51%.

Duke folur para mbështetësve, kryesuesi i listës së partisë “Tubimi Kombëtar” Jordan Bardella tha se francezët dhanë një “vendim pa paralajmërim”.

Pas këtij rezultati zhgënjyes, presidenti Emmanuel Macron vendosi ta shpërndajë parlamentin dhe të thërrasë zgjedhjet e reja. Ndërkohë, në Itali vazhdon dominimi i Giorgia Melonit në politikën e vendit të saj.

Vëllezërit e saj të ekstremit të djathtë të Italisë morën 29% të votave, duke mposhtur Partinë Demokratike të qendrës së majtë të Elly Schlein me pothuajse pesë pikë. “Faleminderit italianëve që po vazhdojnë të na zgjedhin ne… Jam krenare për rezultatin”, u tha ajo mbështetësve të saj.

Ndërkohë, në Austri, Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë është fituese e mundshme e votimit, sipas një sondazhi të kryer gjatë javës së kaluar.

Në Holandë, ku u votua të enjten, sondazhet treguan se partia anti-emigracion e nacionalistit Geert Ëilders do të fitojë shtatë nga 29 vendet holandeze në Parlamentin e BE-së.

Në Greqi, partia e kryeministrit Micotakis, kryeson me diferencë të madhe. Nea Demokratia pritet të marrë rreth 27.9%, ndërsa partia e dytë që është Siriza vetëm 14% të votave.

Pavarësisht rritjes që ka pësuar ekstremi i djathtë në shumicën e vendeve të BE-së, sipas projeksionit të parë të publikuar në Bruksel, Partia Popullore Europiane do të vazhdojë të jetë grupimi kryesor në parlamentin europian me 184 vende, të dytët renditen socialistët me 139 mandate dhe në vend të tretë do jenë liberalët 80. Së bashku ata do të kishin 398 vende nga 720 në Eurodhomën e re.

Rreth 373 milionë qytetarë nga 27 vende të BE-së u ftuan të votojnë në këto zgjedhje. Parlamenti i ri Europian ka të ngjarë të jetë më i ftohtë në politikat për të adresuar ndryshimet klimatike, ndërkohë që është i etur për të mbështetur masat për të kufizuar imigracionin në BE.

Parlamenti Europian përbëhet nga 720 anëtarë (deputetë) të zgjedhur çdo pesë vjet.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share