E pamundur të qeverisë e vetme, bie mbështetja për radikalët
Opozita e qendrës së djathtë siguroi shumicën në zgjedhjet e parakohshme të së dielës në Spanjë, por pa arritur numrin e nevojshëm të deputetëve për formimin e qeverisë së re. Partia Popullore e Alberto Nunjez Feihos është 40 vota parlamentare larg shumicës qeverisëse, të cilën do ta ketë të vështirë ta krijojë brenda spektrit të djathtë. Edhe me ultranacionalistët e lëvizjes Vox, të cilët siguruar 33 vende në parlament, me rënien më të madhe krahasuar me legjislaturën e kaluar, nuk arrihet formimi i qeverisë.
Mbeten kështu mundësitë që socialistët e Pedro Sançezit të vazhdojë të jetë në qeveri. Kjo pasi në fjalimin e fitores, konservatori Feiho përmendi Sançezin si të parin që do të telefononte për koalicon paszgjedhor. Dy partitë tradicionale janë të vetmet që kanë shtuar numrin e deputetëve.
Një tjetër faktor kyç mund të jenë edhe sovranistët katalonjas Zhunts, të cilët mund të mbështesin Partinë Popullore. Por edhe socialistëve mund t’u vijë radha të tentojnë formimin e qeverisë dhe Pedro Sançez për këtë u shfaq optimist pas shpalljes së rezultatit. 70% e votuesve morën pjesë në këto zgjedhje, një shifër e pazakontë për periudhën e pushimeve të verës, që sipas analistëve tregon angazhimin për të mos rikthyer në pushtet radikalët e djathtë.
Tv Klan