Parlamenti i Spanjës konfirmon Pedro Sanchezin si kryeministër

Pedro Sanchez fitoi mbështetjen e shumicës së ligjvënësve në parlamentin e Spanjës për të formuar një qeveri të re sot, duke i dhënë fund paralizës politike katër mujore në Madrid.

Kryeministri 51 vjeçar mbizotëroi në një votim në parlamentin tejet të përçarë të Spanjës, me 350 vende, duke marrë vota po nga çdo grup i majtë dhe separatist. Në total, 179 ligjvënës e mbështetën Sanchezin.

Të shtatë ligjvënësit që i përkisnin partisë separatiste katalane Junts, e cila kishte fuqinë ose ta bënte Sanchezin kryeministër ose ta detyronte Spanjën të zhvillonte zgjedhje të reja, votuan në favor të tij.

Po kështu bëri edhe përfaqësuesi i vetëm i Koalicionit Kanarian, i cili muajin e kaluar votoi gjithashtu në favor të përpjekjes së dështuar të liderit të Partisë Popullore të qendrës së djathtë Alberto Nunez Feijoo për të formuar një qeveri.

Siç pritej, 171 ligjvënës që i përkisnin partisë së Feijoo-s dhe grupit të ekstremit të djathtë Vox, si dhe Bashkimit Popullor të Navarresit konservator, votuan kundër kandidatit socialist, shkruan Politico.eu, transmeton Klankosova.tv.

Fitorja e Sanchezit në parlament përfundon një periudhë trazirash politike që nisi në maj, kur udhëheqësi socialist shpalli zgjedhje të parakohshme pasi partia e tij pësoi humbje shkatërruese në zgjedhjet rajonale dhe lokale në mbarë vendin.

Sanchez pritet të betohet para mbretit të Spanjës Felipe VI të premten dhe të kalojë fundjavën duke mbledhur emrat e ministrave që ai dëshiron në kabinetin e tij qeveria e dytë e koalicionit të Spanjës që nga vitet 1930

Lexo gjithashtu
Total
0
Share