Më 18 prill të këtij viti, Parlamenti Evropian do të votojë për liberalizim të vizave për kosovarët.
Kjo bëhet pas draft agjendës që është miratuar nga Konferenca e Presidentëve që funksionon në kuadër të Parlamentit Evropian. Eurodeputeti holandez Thijs Reuten, ka qenë ai i cili e ka propozuar që të hedhet në votim pika e liberalizimit të vizave.
Më poshtë e keni publikimin e PE-së me agjendën e plotë për 18 prillm:
Para PE-së, pro liberalizimit të vizave për Kosovën më 9 mars ka votuar Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian, duke u thënë se lëvizja e lirë për kosovarët mund të jetë nga 1 janari i vitit 2024.
Kujtojmë se ditë më parë, Bashkimi Evropian njoftoi se e ka shtyrë funksionalizimin e sistemit ETIAS për në vitin 2024, ndonëse ai është paraparë të hyjë në fuqi më 1 nëntor të këtij viti.
Hyrja në fuqi e këtij sistemi është kthyer në temë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës, sepse me të është lidhur liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.
Megjithatë, në vendimin për vizat për Kosovën, është thënë se nëse sistemi ETIAS nuk hyn në fuqi deri në nëntor të këtij viti, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.
Si funksionon ETIAS?
ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.
Ky sistem – krejtësisht elektronik – mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen.
Aty kërkohet emri, vendi i lindjes, gjinia, kombësia dhe secili që plotëson formularin duhet të ketë pasaportë, email dhe një kartelë krediti për të kryer pagesën simbolike për këtë dokument.
Autorizimi për udhëtim lëshohet shpejt dhe në mënyrë automatike, përveç nëse ka dyshime për të kundërtën.
Dokumenti valid ETIAS më pas rishikohet nga roja kufitare e shtetit, që merr vendimin final për hyrjen potenciale të udhëtarit në një vend të Zonës Schengen, njofton Klankosova.tv.