Ky vendim është marrë për shkak të akteve brutale të Rusisë në luftën e saj në Ukrainë
Parlamenti Europian e shpalli Rusinë një shtet sponsor të terrorizmit, duke argumentuar se sulmet e saj ushtarake ndaj objektivave civilë si infrastruktura energjetike, spitalet, shkollat dhe strehimoret shkelin ligjin ndërkombëtar. Ligjvënësit europianë votuan në favor të një rezolute që e quan Rusinë një shtet sponsor të terrorizmit.
Masa është kryesisht simbolike, pasi Bashkimi Europian nuk ka një kuadër ligjor për ta mbështetur atë ndryshe nga SHBA. Uashingtoni nuk e ka ndërmarrë një vendim të tillë sepse nuk dëshiron të ndërpresë përfundimisht komunikimet diplomatike me Moskën. Në të njëjtën kohë, blloku tashmë ka vendosur sanksione të paprecedenta ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. Moska reagoi me zemërim ndaj vendimit të Parlamentit Europian.
“Unë propozoj përcaktimin e Parlamentit Europian si sponsor të idiotësisë“, shkroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova në telegram ndërsa ukrainas Volodymyr Zelensky përshëndeti vendimin e Parlamentit Europian.
“Rusia duhet të izolohet në të gjitha nivelet dhe të mbahet përgjegjëse në mënyrë që t’i japë fund politikës së saj të gjatë të terrorizmit në Ukrainë dhe në mbarë globin”, shkroi ai në Twitter.
Rezoluta e formuluar u miratua me shumicë dërrmuese me 494 vota pro, 58 kundër dhe 44 abstenime, gjatë seancës plenare mujore në Strasburg.
Rezoluta e Parlamentit Europian i kërkoi gjithashtu BE-së të përfshijë grupin mercenar Wagner dhe trupat besnike të liderit çeçen Ramzan Kadyrov në listën e organizatave terroriste.