Parku i famshëm në Kroaci që sjell gëzimin e Krishtlindjeve

Pronari i këtij parku thotë se ideja për ndërtimin e tij erdhi nga një ëndërr fëmijërie

Ëndrra e fëmijërisë për të pasur një pemë Krishtlindjesh e ka frymëzuar kroatin Zlatko Salaj për të krijuar këtë park për festat e fundvitit që zbukurohet gjithnjë e më shumë çdo vit.

Pronari i parkut të Krishtlindjeve, thotë se kishte ëndërruar për një ambient të tillë që pas humbjes së nënës së tij në moshë të vogël ndërsa tregon se si filloi pasioni i tij.

“I thashë gruas sime të ndjerë se do të blija 70,000 drita dhe do të dekoroja një pjesë të pronës. Ajo ishte e lumtur sepse e dinte që unë nuk kisha një pemë Krishtlindjeje kur isha fëmijë. Kështu filloi. Kishte shumë interes; njerëzit fillimisht kishin frikë të vinin në oborr, por shikonin nga rruga. Më pas vendosa t’i telefonoja vetë dhe ata më pyesnin nëse do të kishte më shumë zbukurime vitin tjetër. Thashë nëse ju pëlqen, do të ketë dhe më pas shtova 100 mijë drita. Dhe kështu rritej çdo vit.”

Gjatë fundjavës, qindra vizitorë nga Kroacia dhe vendet fqinje shëtisin nëpër parkun e madh të familjes Salaj në Grabovnicë, afër qytetit të Cazma, të stolisur me miliona drita mbi pemë dhe vila të vogla prej druri.

“Nëse nuk i shpenzoj paratë që më japin klientët për të riinvestuar, njerëzit nuk do të kenë asgjë të re për të parë. Unë do të isha i pari që nuk do të rishikoja diçka që kam parë tashmë. Duhet të ketë gjithmonë diçka më të bukur, diçka më interesante.”

Salaj filloi këtë projekt në vitin 2001 dhe çdo vit shtoi zbukurimet dhe dritat që së fundmi numri i tyre ka shkuar në pesë milionë. Numri i vizitorëve në parkun e tij është rritur ndjeshëm vit pas viti dhe shumë shprehën të magjepsuar nga ky park i krijuar me shumë përkushtim dhe dashuri.

“Unë jam këtu për herë të parë dhe është e mrekullueshme – muzika, dritat, qëndrimi në ajër të pastër, shëtitja, gjithçka është e lezetshme.”

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share