Opozita franceze kerkon rishikimin e ligjit te pensioneve
Protestuesit i vunë flakën grumbujve të mbeturinave në qendër të Parisit pasi qeveria e Presidentit Emmanuel Macron i mbijetoi ngushtë një mocioni mosbesimi në parlament për reformën e pensioneve.
Policia sulmoi protestuesit dhe arrestoi disa prej tyre.
SINKRON: Si të gjithë, edhe unë jam shumë i zhgënjyer dhe i zemëruar. Nuk mendoj se mocionet e mosbesimit që po hidhen në parlament i jep fund luftës kundër regresionit të jashtëzakonshëm social që përfaqëson ky projektligj. Mendoj se represioni i drejtuar nga policia drejt protestuesve që vjen me veprimet e këtyre ditëve të fundit e rrit edhe më shumë zemërimin.
“Epoka e Borne ka mbaruar. Realiteti është se qeveria është e varur nga një fije”, u shprehën disa ligjvënës. Rezultati në Asamblenë Kombëtare ishte një lehtësim për Macron.
Rreth 278 deputetë votuan në favor të mocionit të mosbesimit nga 287 votat e nevojshme për të kaluar. Mocioni i dytë, i sjellë nga Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë, mori vetëm 94 vota. Ligjvënësit nga e majta La France Insoumise mbajtën pankarta në dhomën e ulët në Asamblenë Kombëtare me sloganin “Dorëhiquni!” dhe i bënë thirrje kryeministres Elisabeth Borne të largohet.
Megjithatë kundërshtarët e këtij projektligji kanë deklaruar se do t’i kërkonin Këshillit Kushtetues të rishikojë tekstin përpara se të shpallet zyrtarisht, duke hapur derën për refuzimin e mundshëm të neneve brenda masës nëse ato nuk janë në përputhje me kushtetutën. Udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen , bëri të ditur se do t’i kërkonte këshillit ta censuronte atë.
Vëzhguesit thonë se dështimi i Macron për të gjetur mbështetje të mjaftueshme në parlament për të hedhur në votim propozimet e tij për pensionet tashmë ka minuar axhendën e tij reformiste dhe ka dobësuar udhëheqjen e tij. Trazirat e dhunshme kanë shpërthyer në të gjithë vendin ditët e fundit dhe sindikatat kanë premtuar të intensifikojnë aksionin e tyre të grevës, duke e lënë Macron të përballet me sfidën më të rrezikshme që nga kryengritja e “Jelek Verdhëve”.
GAZETARE: LIVIA KALLFA
Paris is lit 🔥 pic.twitter.com/dfsJqkCul0
— Kim Dotcom (@KimDotcom) March 20, 2023