Rusia tha sot se pranimi i Ukrainës në aleancën e NATO-s do të kishte implikime shumë negative për arkitekturën e sigurisë evropiane dhe se Moska do ta konsideronte një lëvizje të tillë një kërcënim që do të kërkonte një përgjigje të ashpër.
Deklaratat e zëdhënësit të Kremlinit Dmitry Peskov janë bërë në prag të samitit të NATO-s në Lituani, i cili synon të solidarizohet me Ukrainën pa e pranuar ende Kievin si anëtar të aleancës.
“Ju e dini pozicionin absolutisht të qartë dhe të vendosur të Federatës Ruse se pjesëmarrja e Ukrainës në NATO do të ketë një ndikim shumë, shumë negativ në arkitekturën e sigurisë, arkitekturën tashmë gjysmë të shkatërruar të sigurisë në Evropë. Dhe do të jetë një rrezik absolut, një kërcënim për vendin tonë, i cili do të kërkojë një reagim mjaft të qartë dhe të ashpër nga ana jonë”, u tha Peskov, gazetarëve.
NATO heq pengesën e Planit të Veprimit të Anëtarësimit për pranimin e Ukrainës, thotë Kievi
Më herët sot, ministri i jashtëm i Ukrainës tha se NATO ka vendosur të heqë kërkesën që Kievi të ndjekë Planin e Veprimit të Anëtarësimit (MAP) si pjesë e rrugës së saj për t’u bashkuar me aleancën ushtarake.
“Pas bisedimeve intensive, aleatët e NATO-s kanë rënë dakord të tërheqin Planin e Veprimit të Anëtarësimit që çon në anëtarësimin në aleancë. Unë mirëpres vendimin e shumëpritur që shkurton rrugën tonë drejt NATO-s”, tha ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba në një postim në Twitter.