Rreth dy miliardë të krishterë në botë festojnë krishtlindjet
“Sa luftëra kemi parë? Në ta vuajnë më të brishtët. Fëmijët janë copëtuar në luftë, varfëri dhe padrejtësi.” Këto pyetje kreu i Kishës Katolike, Papa Françesku i parashtroi në Meshën e mesnatës, që sot nga ballkoni në Vatikan të bëjë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të luftës në Ukrainë.
“T’i kthejmë sytë kah vëllezërit dhe motrat tona ukrainase të cilët këto Krishtlindje i jetojnë në errësirë dhe të ftohtë, larg shtëpive të tyre. Gjithë kjo si pasojë e shkatërrimit për shkak të luftës dhjetëmujore. Zoti na dhashtë fuqi për solidarizim konkret me ata që vuajnë, që t’u ndihmojmë atyre që vuajnë dhe le t’ua ndriçojë mendjen atyre që kanë fuqi për t’i ndalur armët dhe t’i japin fund të menjëhershëm kësaj lufte të palogjikshme”, tha Papa Françesku
Në anën tjetër të kontinentit, Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski i bëri thirrje popullit të tij të rezistojë para sulmeve ruse, duke shtuar se “liria është e shtrenjtë”.
“Kemi duruar sulme, kërcënime, shantazhe me armë bërthamore, terror dhe sulme raketore. Ta durojmë edhe dimrin, sepse e dimë për çka luftojmë. Do t’i festojmë festat tona, si gjithmonë, sërish do të jemi të lumtur”, deklaroi Volodymyr Zelensky.
Në Maqedoninë e Veriut sot Krishtlindjet i festojnë rreth 20 mijë besimtarë të Kishës Katolike dhe grupeve të tjera të krishtera.
“Duke ju dëshiruar paqe ju uroj festën, lindjen e Krishtit dhe Vit të Ri të bekuar. Krishti u lind”, tha peshkopi Kiril Stojanov
Sot në Shkup u mbajt gara e Babadimrave, krahas faktit që shumica e besimtarëve të krishterë në vend, pjesëtare të Kishës Ortodokse Krishtlindjet i festojnë më 6 janar, sipas kalendarit të vjetër julian. Thirrjet e deritanishme për harmonizimin e festave me pjesën më të madhe të botës së krishterë, ende janë pa përgjigje nga Kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase. /KlanMacedonia
PËRGATITI: BILJANA GEORGIEVSKA