Papa: Kisha është e hapur për të gjithë, por ka rregulla

Ati i Shenjtë theksoi se çiftet e komunitetit LGBT mund të frekuentojnë kishën, por nuk mund të ndjekin ritet e saj

Gjatë kthimit të tij në Romë pas vizitës katër ditore në Portugali, Papa Françesku deklaroi se Kisha Katolike është e hapur për të gjithë, përfshirë anëtarët e komunitetit homoseksual, por brenda kornizës së rregullave të saj.

Një gazetar i tha Papës gjatë udhëtimit, se ai kishte deklaruar më parë se Kisha ishte e hapur për të gjithë dhe e pyeti nëse nuk ishte jokoherente që disa, si gratë dhe homoseksualët, nuk kishin të njëjtat të drejta.

“Kisha është e hapur për të gjithë, atëherë ka rregulla që rregullojnë jetën brenda kishës. Por sipas legjislacionit të Kishës, ata nuk mund të ndjekin ritet si pagëzimi etj., për mënyrën sesi kanë zgjedhur ta bëjnë jetën.  Por kjo nuk do të thotë se Kisha është e mbyllur, secili takohet me Perëndinë në mënyrën e vet brenda Kishës dhe Kisha udhëheq secilin sipas mënyrës së vet”, tha Papa.

Kisha nuk lejon martesën e të njëjtit seks apo edhe bekime për çiftet e të njëjtit seks, por Papa Françesku mbështet legjislacionin civil që u jep të drejta çifteve të të njëjtit seks në fusha të tilla si pensionet, sigurimet shëndetësore dhe trashëgimia.

Që nga fillimi i papatit të tij, Ati i Shenjtë është përpjekur ta bëjë Kishën më mikpritëse, duke përfshirë anëtarët e komunitetit LGBT.

Papa 86-vjeçar para gazetarëve theksoi se shëndeti i tij është mirë dhe se udhëtimi i tij në Portugali u bë me një arsye të veçantë që bota të kthejë vëmendjen tek të rinjtë.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share