Papa Françesku i ka kërkuar kardinalit Matteo Zuppi, të kryejë një mision paqeje në përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, tha Vatikani të shtunën.
Papa foli fillimisht në mënyrë të fshehtë për qëllimin e tij për të nisur një mision kur po kthehej nga një udhëtim në Hungari muajin e kaluar, shkruan Skynews, transmeton Klankosova.tv.
Zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë ka konfirmuar se Papa Françesku i ka besuar kardinalit Matteo Zuppi një mision për të ndihmuar në zbutjen e tensioneve në konfliktin në Ukrainë.
Konfirmimi i misionit erdhi të shtunën në mbrëmje, më 20 maj, kur iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, drejtori i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, deklaroi: “Mund të konfirmoj se Papa Françesku i ka besuar Kardinalit Matteo Zuppi, Kryepeshkop i Bolonjës dhe President i Konferencës së Ipeshkvijve Italianë, me përgjegjësinë për të udhëhequr një mision, në marrëveshje me Sekretariatin e Shtetit, që kontribuon në zbutjen e tensioneve në konfliktin e Ukrainës, me shpresën se kjo mund të iniciojë rrugë paqeje, diçka që nuk braktiset kurrë nga Ati i Shenjtë”.