Papa Françesku thotë se lufta është në vetvete një krim kundër njerëzimit

Papa Françesku tha të dielën se lufta është “një krim kundër njerëzimit”, teksa ai përsëriti thirrjen për paqe në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.

“Le të mos e harrojmë këtë. Njerëzit kanë nevojë për paqe, bota ka nevojë për paqe”, tha Papa pas lutjes javore Angelus.

Në lutje, ai u bëri thirrje njerëzve që të mos harrojnë ata që vuajnë për shkak të “mizorisë së luftës” në disa pjesë të botës. Ai vazhdimisht ka bërë thirrje për paqe në Ukrainë dhe në luftën në Gaza.

​ “Le të lutemi që ata që kanë pushtet mbi këto konflikte të reflektojnë mbi faktin se lufta nuk është mënyra për t’i zgjidhur ato, pasi mbjell vdekje mes civilëve dhe shkatërron qytete dhe infrastrukturë”, tha Papa.

E diela shënoi 100 ditë që kur persona të armatosur të Hamasit shpërthyen nga Gaza për të nisur sulmin më vdekjeprurës në historinë e Izraelit, duke shkaktuar një fushatë izraelite për të eliminuar Hamasin që ka vrarë dhjetëra mijëra palestinezë dhe ka shkatërruar enklavën palestineze, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share