ATI I SHENJTE KA DENUAR LUFTEN NE UKRAINE DUKE E QUAJTUR ATE ‘ NJE CMENDURI’
Ati i Shenjtë ka paralajmëruar rrezikun e një “katastrofe bërthamore” në termocentralin e Zaporizhzhia, që është më i madhi në Evropë. Rusia dhe Ukraina kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën se kanë qëlluar termecontralin.
Papa Françesku ka bërë thirrje për “hapa konkretë” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për të shmangur rrezikun e një fatkeqësie bërthamore në termocentralin e Zaporizhzhia.
”Uroj të ndërmerren hapa konkretë për t’i dhënë fund luftës dhe për të shmangur rrezikun e një fatkeqësie bërthamore në Zaporizhzhia. Lutjet e mia shkojnë për të burgosurit, veçanërisht ata në kushte të vështira dhe kërkoj nga autoritetet përgjegjëse të punojnë për lirimin e tyre. Mendoj për fëmijët, shumë viktima dhe për shumë refugjatë, këtu ka kaq shumë. Kaq shumë të plagosur, kaq shumë fëmijë ukrainas dhe rusë kanë mbetur jetimë. Jetimët nuk kanë kombësi. Ata kanë humbur babanë apo nënën e tyre, qofshin ata rusë apo ukrainas”
Duke folur në ditën kur Ukraina shënon pavarësinë e saj nga sundimi sovjetik në 1991 dhe gjashtë muaj pasi forcat ruse sulmuan, Papa Françesku dënoi luftërat.
Mendoj për kaq shumë mizori, për shumë të pafajshëm që po paguajnë për çmendurinë e të gjitha palëve, sepse lufta është një e tillë.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters muajin e kaluar, Ati i Shenjtë u shpreh se dëshironte të vizitonte Kievin, por edhe në Moskë, mundësisht fillimisht, për të promovuar paqen.
Papa Françesku do të marrë pjesë në një kongres të liderëve fetarë në kryeqytetin e Kazakistanit më 13-15 shtator, ku ai ka thënë se shpreson të takohet me Patriarkun Ortodoks Rus Kirill, i cili ka mbështetur luftën në Ukrainë.
GAZETARE: XHUANA LIKA
PAMJET: REUTERS