Papa Françesku feston në këtë 17 Dhjetor 87 vjetorin e tij të lindjes . Siç shkruajnë mediat italiane, Papa pritet që sot ta kalojë një pjesë të ditës me fëmijët e varfër në “Santa Marta”, me ta ai do të shikojë një shfaqje të shkurtër me artistë cirku dhe do të shijojë tortën e ditëlindjes, ndërsa në orën 12:00 do të marrë urimet e të gjithë besimtarëve në sheshin e “Shën Pjetrit”.
Komuniteti katolik në Romë është shprehur se në ditëlindjen e tij, arsyet për të festuar janë të shumta duke treguar mirënjohje ndaj punës së Papës.
Një urim për Papën ka dhe kryeministri i vendit tonë Edi Rama, i cili krahas një fotoje të postuar në Facebook, shkruan: Edhe 100!
Kujtojmë se Papa Françesku ka lindur më 17 Dhjetor të vitit 1936 në Buenos Aires të Argjentinës.
Fillimisht ai ka punuar si teknik në një laborator të shkencës ushqimore, më pas iu desh të përballej me një sëmundje të rëndë e cila në fakt e frymëzoi t’u bashkohej jezuitëve në 1958-ën. Ai u bë prift katolik në vitin 1969 dhe nga 1973-1979 ai kishte detyrën e eprorit jezuit në Argjentinë.
Ai udhëhoqi kishën argjentinase gjatë trazirave të Dhjetorit 2001.
Pas dorëheqjes së Papa Benediktit XVI më 28 Shkurt 2013, ai u zgjodh si pasues i tij më 13 Mars. Gjatë gjithë jetës së tij publike, Françesku është shquar për përulësinë e tij, shqetësimin për të varfërit dhe përkushtimin ndaj dialogut ndërfetar.
Edhe pse një ditë ëndërron të kthehet në vendlinje, e vazhdon me dinjitet misionin e tij të shenjtë në Vatikan./tvklan.al