Pandemia ka përkeqësuar shëndetin mendor

PANDEMIA KA PËRKEQËSUAR SHËNDETIN MENDOR

“PAS KRIZAVE TË MËDHA NË BOTË, PASON PANDEMI E SHËNDETIT MENDOR”

Paragjykimet, bullizimi dhe izolimi nga ana e shoqërisë janë disa nga sfidat më problematike me të cilat përballen personat që kanë probleme me shëndetin mendor. Drejtori i Klinikës Psikiatrike, Stojan Bajraktarov gjatë emisionit Klan Debat tha se, përveç kësaj, ndikim negativ ka pasur edhe pandemia, ku siç thotë ai, është përkeqësuar shëndeti mendor në mënyre drastike. Po ashtu, për shkak të pandemisë ai tha se, ka pasur ngecje në hapjen e disa qendrave për trajtimin e sëmundjeve mendore, raporton KlanMacedonia.

“Në periudha të sfidave të këtilla, çdoherë pas ndonjë gjendje të krizës së madhe në botë, qoftë luftëra apo pandemi, vijon pandemia e shëndetit mendor. Ekzistojnë shumë mënyra se si të mbrohemi. Një këshill apo rekomandim që do të jepja është socializimi” – tha Stojan Bajraktarov, drejtor i klinikës së psikiatrisë.

Sipas kryetarit të organizatës për shëndet mendor “Mislla” Dimitar Illçov shumë persona nuk shkojnë në psikiatër për shkak paragjykimit të shoqërisë.

“Vet qytetarët, ato që kushtimisht thënë thirren normal, i ndërpresin lidhjet me vetëdije dhe me qëllim, me njerëzit të cilët kanë ndonjë çrregullim mendor deri në atë shkallë që madje, izolohen edhe nga familjarët e tyre, anëtarët e familjes së tyre” – tha Dimitar Illçov, kryetar i organizatës për shëndet mendor ”Mislla”

Ndërkohë, anëtarët e kësaj organizate thonë se, në të kaluarën kanë qenë të paragjykuar dhe të bullizuar nga shoqëria.

“Vlerësova se, duhet të njihet se edhe ata persona, kur janë nën trajtim siç duhet janë të ngjashëm dhe të njëjtë qytetarë të aftë si të tjerët dhe me ato duhet të sillemi sikurse me gjithkënd tjetër. Kur kam qenë në periudha të depresionit më kanë thënë se jam përtace, se jam njeri i dobët, nuk jam luftëtare në jetë” – Stefanija Graovac, anëtare e shoqatës ”Misla”

“Kur kam qenë më i ri kam qenë viktimë e bullizmit. Në shkollë të mesme më kanë keqtrajtuar, prej atëherë kam filluar të shkojë në psikiatër. Ka shumë nxënës që janë viktima të bullizimit ndërsa askush nuk u ndihmon” – Martin Smillevski, anëtar i shoqatës ”Misla”

Shëndeti mendor përfshin mirëqenien emocionale, psikologjike dhe sociale. Nga shëndeti mendor varet se si përballemi me stresin, si sillemi me të tjerët, dhe si i bëjmë zgjedhjet. Ekzistojnë çrregullime mendore të ndryshme, të cilat përfshijnë depresionin, çrregullimet afektive bipolare, demencionin, skizofreninë dhe psikoza të tjera, zhvillimin e vonuar intelektual, si edhe autizmin. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share