Pamje dramatike! Stuhia godet aeroplanin në mes të fluturimit në Kolumbi, pasagjerët: E pamë që nuk do të mbijetonim…

Në hapësirën ajrore, të gjithë mund të bërtasin nga frika.

Së fundmi janë publikuar disa pamje të cilat kapën momentin dramatik kur pasagjerët u frikësuan shumë në bordin e një aeroplani që po goditej nga një stuhi tropikale në mes të fluturimit.

“Unë kurrë nuk kam përjetuar një mot kaq të keq në një fluturim”, tha pasagjerja Zuleima Ebratt për fluturimin nga Medellin në Barranquilla të Kolumbisë.

Fluturimi, Avianca Airlines 8586, thuhet se ishte tronditur nga një stuhi tropikale që goditi pjesën veriore të vendit me erëra me shpejtësi 72 km/h, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Ishte konkretisht kur filluam të zbrisnim për të zbritur në Barranquill”, tha Ebratt.

“Deri në atë moment kapiteni na tha që do të zbresim në Barranquilla dhe gjithçka ishte normale. Papritur, hymë në një mjegull, nuk mund të shihnim më asgjë dhe filluan turbulencat”, shtoi ajo.

Në pamje, aeroplani mund të shihet duke u lëkundur në mënyrë të pakontrolluar, duke bërë që pasagjerët të bërtasin dhe të luten.

“Sigurisht, ishim të stresuar, të dëshpëruar, të gjithë qanin, bërtisnin, të tjerët luteshin, sepse ne vërtet e pamë që nuk do të mbijetonim”, vazhdoi pasagjerja.

Siç raportohet, goditja ishte aq e ashpër sa e pengoi pilotin të ulej, duke i shtyrë ata të devijonin fluturimin dhe të uleshin në qytetin bregdetar të Kartagjenës.

Fluturimi më në fund ishte në gjendje të vazhdonte në destinacionin e tij të Barranquilla disa orë më vonë se sa ishte parashikuar.

Ndryshe, stuhia goditi shumë zona në Atlantico, Magdalena dhe Bolivar, duke dëmtuar çatitë dhe duke ndërprerë energjinë në disa komuna.

Autoritetet lokale dhe agjencitë e ndihmës janë aktualisht duke vlerësuar dëmin dhe po punojnë për të rivendosur shërbimet thelbësore. /Telegrafi/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share