Palestinezët e evakuuar nga Gaza lejohen të hyjnë në Bosnje

Këshilli i Ministrave në Bosnje e Hercegovinë në mënyrë unanime miratoi “vendimin për dhënien e lejes për hyrjen në Bosnje e Hercegovinë, nën kushte të posaçme, të qytetarëve të Palestinës familjarët e të cilëve janë shtetas të Bosnje e Hercegovinës”, u tha në njoftimin e këtij institucioni.

Në njoftim u tha se 30 persona, që janë të afërm të qytetarëve të Bosnje e Hercegovinës, të cilët janë evakuuar së bashku nga Rripi i Gazës, do të lejohen që të hyjnë në këtë shtet.

“Ministria e Punëve të Jashtme të Bosnje e Hercegovinës do t’ua dërgojë listën e 30 personave Policisë kufitare, në të cilën, përveç të dhënave personale, ka edhe informacione për të afërmit e tyre që janë shtetas të Bosnje e Hercegovinës. Hyrja e tyre do të mundësohet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Sarajevës”, u tha në njoftim.

Më herët, autoritetet njoftuan se shteti i Katarit ka ofruar një avion për transportin e shtetasve të Bosnjës dhe familjarëve të tyre të cilët u evakuuan nga Rripi i Gazës. Katari po ashtu do të mbulojë shpenzimet e tyre të fluturimit nga Egjipti për në Bosnje.

Një ditë më herët, Këshilli i Ministrave nuk mori vendim për këtë çështje për shkak të mungesës së kuorumit.

Shtetasit e Bosnjës dhe familjarët e tyre u evakuuan nga Rripi i Gazës për në Kajro të Egjiptit.

Më 18 nëntor, ministri i Punëve të Jashtme të Bosnje dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, shkroi në Facebook se Bosnja ka arritur të evakuojë të gjithë shtetasit e saj nga Gaza.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor, pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 240 të tjerë.

Izraeli u kundërpërgjigj ashpër duke rrethuar Rripin e Gazës – ku jetojnë 2.3 milionë palestinezë – dhe duke sulmuar pareshtur këtë territor. Autoritetet shëndetësore në Gazë kanë thënë se mbi 11.000 palestinezë janë vrarë që kur ka nisur lufta. /REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share