Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden po përballet gjithnjë e më shumë me kritika në skenën botërore, për mbështetjen që po i jep fushatës ushtarake të Izraelit. Ndërsa brenda vendit, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Patsy Widakuswara, një numër i madh votuesish nuk e mbështesin mënyrën se si Presidenti Biden po e trajton konfliktin. Sipas zyrtarëve palestinezë, njëzet mijë njerëz janë vrarë në Gazë, që kur Izraeli nisi operacionin ushtarak kundër Hamasit.
Pas disa ditë negociatash të vazhdueshme për shmangien e vetos së Shteteve të Bashkuara, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara miratoi të premten një rezolutë për situatën në Gazë, në të cilën bën thirrje për përshpejtimin e menjëherëshëm të shpërndarjes së ndihmave për civilët, por pa thirrjen fillestare “për ndërprerjen urgjente të luftimeve” midis Izraelit dhe Hamasit.
Këshilli prej 15 anëtarësh votoi 13-0 në mbështetje të rezolutës, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Rusia abstenuan. Votimi pasoi veton e Shteteve të Bashkuara ndaj një amendamenti rus me thirrjet për një armëpushim të menjëherëshëm. 10 vende ishin shprehur pro këtij varianti, SHBA kundër dhe katër abstenime. Miratimi i rezolutës së rishikuar vjen pas një javë e gjysmë përpjekjesh diplomatike të nivelit të lartë nga Shtetet e Bashkuara, Emiratet e Bashkuara Arabe, në emër të vendeve arabe dhe nga një sërë shtetesh të tjera.
Izraeli kundërshtoi dy dispozita të rezolutës fillestare që kërkojnë që Kombet e Bashkuara të marrin përsipër inspektimin e kamionëve me ndihma dhe ndërprerjen e menjëhershme të luftimeve. Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield shfaqi mbështetjen e saj për përmbajtjen aktuale të rezolutës.
“Është një rezolutë që do të sjellë ndihma humanitare për ata që kanë nevojë. Ajo do të mbështesë përparësitë e Egjjiptit për vendosjen e një mekanizmi në terren në shërbim të ndihmave humanitare”, tha ajo.
Ndërsa Izraeli vazhdon operacionin tokësor, mosgatishmëria e Presidentit Joe Biden për të bërë thirrje për armëpushim ka dëmtuar lidhjet e tij me pjesëtarët e komunitetit myslimano-amerikan, të cilët organizuan fushatën “Braktisni Bidenin”.
“Ju njoftojmë se Presidenti Biden i ka humbur zgjedhjet e vitit 2024. Ne nuk jemi të pafuqishëm si komunitet. Nuk kemi vetëm para, por edhe vota”, tha Jaylani Hussein, organizator i fushatës kundër Presidentit Biden.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby e pranon se ka zemërim.
“Ne po dëgjojmë dhe po mundohemi të kuptojmë më mirë të gjitha këndvështrimet e ndryshme. Thënë kjo, asnjë komb nuk duhet të jetojë me kërcënimin që Hamasi paraqet për Izraelin. Asnjë komb nuk duhet të jetojë me atë fqinj”, tha ai.
Sipas një sondazhi të gazetës New York Times, shumica e amerikanëve, veçanërisht votuesit e rinj, nuk e mbështesim mënyrën se si Presidenti Biden po e trajton luftën.
“Të dhënat e sondazhit janë shokuese. Distancimi i shpejtë i arabo-amerikanëve, progresistëve, votuesve me ngjyrë. Të gjitha këto grupe duket se janë kundër mbështetjes së vazhdueshme të Bidenit për Izraelin dhe kjo mund ta dëmtojë atë në zgjedhje, nëse rezultati është i ngushtë. Mendoj se administrata duhet të ndryshojë qasjen ndaj Gazës, të orientohet tek rindërtimi, ndihmat humanitare dhe më pas ta përmbyllë gjithë këtë me një angazhim serioz drejt një zgjidhjeje përfundimtare”, thotë Aaron David Miller nga “Instituti Carnegie për Paqen Ndërkombëtare”.
Sipas sondazhit, votuesit besojnë se kandidati i mundshëm republikan Donald Trump do ta trajtonte më mirë luftën në Gazë.
Amerikanët janë të ndarë, mes atyre që bëjnë thirrje për një armëpushim dhe atyre që duan fitoren e Izraelit, edhe nëse rritet numri i viktimave – duke e lënë Presidentin Biden nën trysni politike nga të dyja palët./VOA