Pagat në arsimin e lartë/ Protestë paqësore e pesë universiteve publike

Sindikatat e universiteteve në Manastir, Tetovë, Shtip, Ohër dhe “Nënë Tereza” në Shkup, gjatë protestës së sotme kanë kërkuar nënshkrimin e marrëveshjes kolektive për pesë universitetet dhe barazimin e të drejtave dhe përgjegjësive me Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.

Ata ankohen se janë të diskriminuar dhe injoruar si nga Kuvendi poashtu edhe nga Qeveria, me mosnënshkrimin e marrëveshjes kolektive.

“ E përshëndesim zbatimin e marrëveshjes kolektive nga ana e Qeveris me “Universitetin Shën Kirili dhe Metodi”, por u themi autoriteteve që njëkohësisht zbatojnë standarde të dyfishta, diskriminim dhe pabarazi sepse pesë universitetet e tjera publike gëzojnë të njëjtin status, kryejnë të njëjtin aktivitet shoqëror me të njëjtën përgjegjësi dhe duke mos nënshkruar kontratën kolektive janë lënë mënjanë padrejtësisht nga shteti”, tha Avni Avdiu.

Në protestën e njëjtë në Universitetin e Tetovës, në cilësinë e profesorit, ka marrë pjesë edhe Shefi i Grupit Parlamentar të BDI-së, Arbër Ademi.

Siç tha, vet fakti që gjendet në këtë protestë edhe ai ndjehet i diskriminuar.

“Unë vij që tju sigurojë të gjithëve se nuk do të lejojmë diskriminim. A  kanë të drejtë punonjësit nga gjithë universitetet tjera qofshin tek Universiteti “Nënë Tereza”, qoftë në universitetin “Goce Dellçev” në Shtip, Universitetin e Manastirit qoftë në Ohër a kanë të drejtë të ndjehen ashtu, po”, tha Arbër Ademi.

Kanë reaguar nga opozita shqiptare. Gishti drejtohet tek BDI-ja. Sipas tyre, me rritjen selektive të pagave për punonjësit e UKIM-it u përforcua edhe më shumë diferencimi kundrejt Universiteteve shqiptare.

 “Ideja e diferencimit të universiteteve publike në vehte është ide e kahmotshme e qarqeve të ndryshme që nuk ua duan të mirën shqiptarëve. Kjo ide është zbatuar në heshtje ndër vite duke e privilegjuar universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, gjegjësisht studentët që kanë mbaruar në të, si psh. për studentët e mjekësisë gjatë specializimit”, thonë nga VLEN.

 Para dy ditëve, përmes rrjeteve sociale, Arbër Ademi, paralajmëroi se do të dorëzohet propozim-Ligji për plotësimin e Ligjit për arsimin e lartë me çka do të rregullohet koeficienti i pagesës së pagës për punonjësit në institucionet e arsimit të lartë publik nga llogaria e buxhetit, përfshirë profesorët, personelin jomësimdhënës dhe personelin teknikë.

Protestat e 5 universiteteve publike erdhën pasi më 28 shkurt Qeveria miratoi vendimin ku 3.200 punonjësve në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, konform Marrëveshjes Kolektive, do t`u rriten pagat, mesatarisht për rreth 22%./tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share