Pacolli letër Kurtit: Politika juaj është e gabuar dhe çon në izolim

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, i ka dërguar letër të hapur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Pacolli në këtë letër e kritikoi Kurtin për qeverisjen, me të cilën sipas tij, po e çon Kosovën drejt izolimit.

“Kosova u ndërtua me mund dhe sakrifica. Është projekti më i suksesshëm shtetformues i pasluftës, projekti që u realizua duke ndërthurur vullnetin kombëtar dhe mbështetjen ndërkombëtare nga aleatët dhe partnerët tanë amerikanë dhe evropianë. Në këtë kuptim, besoj se politika juaj është e gabuar dhe që çon në izolimin më të madh dhe mungesën më të theksuar të mbështetjes ndërkombëtare që nga fillimi i rezistencës paqësore të udhëhequr nga presidenti Rugova në fund të viteve ’80 dhe suprimimi e autonomisë së Kosovës dhe vendosja e sundimit të aparteidit në Beograd. Kjo lëvizje paqësore dhe ushtarake tani që kulmoi me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, i arriti sukseset e saj pikërisht sepse ishte në kohezion me SHBA-në dhe partnerët evropianë”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

“Sot ka nevojë për kohezion dhe bashkëpunim mes të gjitha grupeve politike dhe të shoqërisë civile, për të dalë nga izolimi ndërkombëtar dhe iluzioni i brendshëm irracional që po dëmton Kosovën. Por ju nuk e bëtë të mundur, ndërtuat barriera ndaj bashkëpunim dhe etiketuat kriminel dhe të korruptuar të gjithë ata pa asnjë fakt që dhanë kontribut në rrugën e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit. Ju hodhët poshtë çdo thirrje dhe vullnet për të bashkëpunuar mbi këtë etiketim që ngjan me gjyqet popullore në rrugë që nuk kanë vend në demokracinë tonë”, ka shtuar ai.

Sipas Pacollit, trajtimi i Kurtit ndaj opozitës dhe kujtdo që nuk pajtohet me bindjet e tij politike është refuzuar dhe injoruar, shpesh është përqeshur dhe sulmuar, transmeton Klankosova.tv.

“Nuk pres që ju të reflektoni dhe të merrni kahen e bashkëpunimit dhe të racionalitetit politik në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës sonë, por më vjen keq që kemi ardhur si një shtet i ri dhe një shoqëri në këtë gjendje ku polarizimi ka arritur në shkallën shqetësuese që është e dhimbshme që nuk mund të bëjmë më shumë bashkë si shtet për interesat jetike të Kosovës. Përgjegjësia për këtë drejtim të vendit është gjithmonë e mazhorancës dhe liderit të saj, në këtë rast ju kryeministër Kurti”.

Ai madje tha se Kurti refuzoi disa delegacione për njohjen e shtetësisë së Kosovës, të cilat i kishte aranzhuar vetë.

“Në një rast kam sjellë një delegacion nga një vend që kishte vendosur ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, ata u takuan me ju dhe presidentin e Republikës, por diplomacia për të finalizuar njohjen e Kosovës mungoi dhe asnjë hap veprim nuk u ndërmor nga qeveria juaj për ta finalizuar atë. Një rast tjetër ishte kur dy shtete, pas vizitave të mia atje, njohën pasaportën e Kosovës si hapin e parë drejt njohjes së Kosovës dhe hapën rrugën për këtë. Ju i pranuat letrat e dy presidentëve të vendeve në fjalë, por për inatin tuaj politik i shpërfillët dhe nuk u ndërmor asnjë hap nga qeveria juaj për të zyrtarizuar njohjen dhe bashkëpunimin diplomatik”, tha ai.

Sipas Pacollit, Kosova është sjellë në një gjendje izolimi, polarizimi e frikësimi autoritar, për shkak të kokëfortësisë dhe mungesës së vizionit të tij politik dhe pragmatik. Ai theksoi se është i gatshëm ta mbështesë qeverinë nëse ndjek agjenda në interes të vendit.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share