Pa telefona dhe 10 orë në tren, dalin detaje nga udhëtimi sekret i Biden drejt Ukrainës

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë e kanë përshkruar vizitën e papritur të Joe Biden në kryeqytetin e Ukrainës Kiev si “të paprecedentë për kohët moderne”. Ata thonë se udhëtimet e mëparshme presidenciale në Irak dhe Afganistan gjatë kohës së luftës kishin mbështetjen e një pranie të madhe ushtarake amerikane.

Pavarësisht spekulimeve të përhapura se Biden mund të planifikonte një udhëtim në Ukrainë ndërsa ishte në Poloni, vizita i ka befasuar të gjithë.

“Ishte e rrezikshme dhe nuk ka asnjë dyshim për askënd se Joe Biden është një lider që e merr seriozisht angazhimin”, tha drejtoresha e komunikimit e Shtëpisë së Bardhë, Kate Bedingfield.

Biden kishte planifikuar të fluturonte nga SHBA në Varshavë të hënën në mbrëmje, për një udhëtim dy-ditor. Orari paraprak kishte dy boshllëqe të dyshimta të gjata në itinerarin e tij, dhe shumë pyesnin veten nëse mund të ishte koha kur ai do të udhëtonte në Ukrainë.

Gazetarët në konferencat e përditshme të shtypit të Shtëpisë së Bardhë kanë pyetur vazhdimisht për një vizitë. Na u tha se nuk kishte asnjë takim të planifikuar me Z. Zelensky dhe asnjë ndalesë të planifikuar jashtë Varshavës “për momentin”.

Vendimi përfundimtar për të bërë udhëtimin në Kiev u mor vetëm të premten, edhe pse ishte planifikuar prej muajsh me një pjesë të vogël të ndihmësve kryesorë të presidentëve. Në bord ishte një ekip i vogël i ndihmësve të tij më të afërt, një ekip mjekësor dhe oficerë sigurie.

Vetëm dy gazetarë u lejuan të udhëtonin me presidentin. Ata kishin premtuar që do ta mbanin të fshehtë udhëtimin dhe atyre iu morën celularët. Ata nuk u lejuan të raportojnë vizitën deri pasi Biden kishte mbërritur në Kiev. Sipas këshilltarit amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, Rusia u njoftua për udhëtimin disa orë para nisjes së Biden.

Biden më pas udhëtoi 10 orë në një tren për të shkuar në Kiev. Ai mund të kishte vizituar vende të tjera brenda Ukrainës që do të kishin qenë më të lehtë për t’u arritur, por ishte kërkesa e tij për të bërë udhëtimin simbolik në Kiev./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share