Pa dokument, pa dëshmi, Ganiu demanton lajmin e Klan M për ujin e pijshëm në objektin e Komunës së Çairit

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu ka reaguar ndaj lajmit të publikuar në Klan Macedonia për kontratën që komuna ka lidhur me një kompani distribuimi për ujë të pijshëm.
Ganiu thotë se Komuna paguan 60 denarë për 1 litër ujë, edhe pse në dokumentin e siguruar nga mediat, figuron se për një shishe ujë 250ml, Komuna e Çairit paguan 60.25 denarë.
Ganiu pavarësisht demantit, nuk ka treguar asnjë kontratë furnizimi ku bazon deklaratën e tij, mirëpo deri më tani dokumenti i vetëm që ngelet dëshmi, është ai që e ka publikuar Klan Macedonia.
KUMTESË PËR OPINIONIN PUBLIK
Të nderuar qytetarë,
Lajmi i publikuar nga Klan Maqedonia mbi furnizimin me ujë në Komunën e Çairit është një manipulim i pastër dhe një përpjekje e radhës për dezinformim. E vërteta është se Komuna e Çairit, në bazë të kontratës, paguan 60 denarë për 1 litër ujë, ndërsa një shishe qelqi prej 250 ml kushton vetëm 15 denarë. Çdo interpretim ndryshe është një keqinformim i qëllimshëm për të mashtruar qytetarët.
Nuk është hera e parë që Klan Maqedonia fabrikon lajme të pavërteta dhe tendencioze ndaj Komunës së Çairit. Ky medium vazhdimisht keqpërdor informacionet, i nxjerr ato jashtë kontekstit dhe krijon propagandë të pastër për të dëmtuar imazhin tonë. Kjo qasje është e papranueshme dhe bie ndesh me çdo standard të gazetarisë profesionale.
Komuna e Çairit vepron me transparencë të plotë dhe në përputhje me të gjitha procedurat ligjore. Nuk do të lejojmë që shpifjet dhe manipulimet të dëmtojnë angazhimin tonë për qytetarët.
Ju bëjmë thirrje qytetarëve të mos bien pre e dezinformatave dhe Klan Maqedonisë t’i rikthehet standardeve profesionale të gazetarisë. Çairi po zhvillohet dhe asnjë propagandë nuk do ta ndalë përparimin e komunës sonë!

Lexo gjithashtu
Total
0
Share