INFLACIONI REZULTAT I LUFTËS NË UKRAINË
Nëse Maqedonia e Veriut bëhet anëtare e BE-së, gjithcka do të ishte ndryshe, edhe me çmimet edhe me sektorin e bujqësisë – ka vlerësuar gjatë vizitës në Shkup, Ministri gjerman për Bujqësi dhe Ushqim, Xhem Ozdemir, përcjellë KlanM.
Sipas ministrit gjerman rritja e inflacionit nuk lidhet me politikën e brendshme të vendeve, por është si rezultat i luftës në Ukrainë, që ka rezultuar me rritje të harxhimeve dhe shtrenjtimit të energjisë.
“Lidhur me çmimet do të ishte ndryshe nëse vendi kishte qasje në pjesë të tregjeve të përbashkëta të BE-së. Atëherë edhe për bujqësinë do të ishte shumë më mirë, do të kishte qasje në këto tregje dhe mundësi më të mëdha. Por, ka aktorë që nuk e duan këtë dhe nuk është në interesin e tyre, sikurse Rusia që nuk dëshiron që vendi të lëviz drejt BE-së”, tha Xhem Ozdemir.
Për Gjermaninë nuk ka dilema. Përcaktimi i qartë është që sa më shpejt Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare fuqiplotë e BE-së – tha Ministri gjerman Ozdemir.
Ai dhe homologu i tij Lupço Nikolovski pas takimit dypalësh, morën pjesë në orën e parë akademike në Fakultetin për Shkenca të Bujqësisë dhe Ushqimit.
Ndryshe, në Ambasadën gjermane në Shkup është emëruar atasheu i cili krahas për Maqedoninë e Veriut do të jetë kompetent edhe për gjithë Ballkanin. Bëhet fjalë për diplomatin Frank Miler I cili paraprakisht kishte punuar në Kiev.
Qëllimi i pozitës së tij, siç tha Ministri Ozdemir, do të jetë intensifikimi i bashkëpunimit./KlanMacedonia