Osmani: Zelensky e konfirmoi se Rusia po e sheh Ballkanin si vend për të hapur front të ri

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, po merr pjesë në panelin e Forumit Diplomatik të Antalisë me temën “avancimi i diplomacisë në kohë trazirash”.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë panelit në Forumin Diplomatik të Antalisë me temën “avancimi i diplomacisë në kohë trazirash” ka thënë se në Kosovë s’ka asnjë përkrahës të Rusisë.

Osmani tha se përtej faktit që Kosova është vend fqinj me Serbinë, e që fatkeqësisht sipas saj, jo vetëm tash së voni por për një kohë të gjatë Serbia është bërë dorë e zgjatur e Rusisë në përpjekje për ta destabilizuar rajonin, në Kosovë s’mund të gjendet ndikim rus.

“E kjo na ka ndihmuar neve edhe në luftën tonë ndaj propagandës ruse që është e stërmadhe në rajonin tonë sepse historikisht Rusia është përpjekur që të gjejë terrene të pjellshme për ta zgjeruar konfliktin, e gjithmonë e kanë parë Ballkanin Perëndimor si një prej këtyre tokave pjellore për konflikt dhe kemi pasur krizë pas krize në rajon pasi interesi rus ka qenë që ta kthejë rajonin në të 90-tat kur ka pasur konflikte”.

“Por, me ndihmën e partnerëve tanë kemi arritur që ta ruajmë paqen për të cilën është luftuar shumë e pastaj edhe për stabilitetin e rajonit. Por, për çdo ditë që kalon, e kjo u konfirmua edhe nga presidenti Zelensky, Rusia po e sheh Ballkanin si vend ku duan ta hapin një front të ri kundër Perëndimit”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv.

E para e shtetit tha se Rusia është krejt transparente në qëllimet e saj, ku tha se Putini do që ta zgjerojë konfliktin dhe ta kthejë Ballkanin me shekuj prapa, teksa shtoi se nëse agresorët trimërohen, gjithmonë shkaktojnë më shumë luftëra e vuajtje, ku përmendi edhe kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviqin.

“Nëse agresorët trimërohen, gjithmonë shkaktojnë më shumë shkatërrim, më shumë luftëra dhe gjithmonë ka më shumë vuajtje. Për t’iu kthyer viteve të 90-ta, në fillim të luftërave në ish-Jugosllavi, njerëzi thoshin se Millosheviqi është ai personi pa të cilin paqja është e pamundur. Fakti që ishte trimëruar vazhdimisht, nënkuptonte që 150 mijë civilë kanë vdekur”, tha Osmani.

Tutje, Osmani tha se aktualisht, diplomacia është duke sunduar në Ballkan dhe se gjenerata e fëmijëve të saj, do të jetë e vetmja në historinë e Kosovës që nuk do të ballafaqohet me luftë.

“Vetëm pasi u hoq nga vendi i tij, atëherë arritëm paqen në Ballkanin Perëndimor. Diplomacia është duke sunduar në Ballkan, ka dialog në Ballkan. Fëmijët e mi do të jenë gjenerata e vetme në historinë tonë që nuk do të ballafaqohen me luftë. Stërgjyshërit e mi kanë pasur luftë, gjyshërit e mi kanë pasur luftë, prindërit e mi kanë pasur luftë, unë vetë e kam përjetuar luftën, pra fëmijët e mi janë të vetmit që nuk do të kalojnë një luftë për shkak se paqja sundon në Ballkan”.

“Pra, nuk duhet t’ia lejojmë Putinit që t’ia dal me këto që po synon, sepse nuk e ndikon vetëm Ukrainën, na ndikon të gjithëve. Nuk mund të ketë Evropë të lirë e në paqe nëse e lëmë Putinin të fitojë”, tha ajo.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share