Osmani udhëton për në Washington me ftesë të Blinkenit, merr pjesë në Samitin e NATO-s

Presidentja Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Washington, me ftesë të Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken.

Kjo për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s, në 75 vjetorin e themelimit të kësaj organizate ushtarake.

“Duke vlerësuar ftesën e sekretarit Blinken, presidentja Osmani ka theksuar se përfshirja e Kosovës në aktivitete të tilla është e një rëndësie të veçantë, meqë është hera e parë që Kosova përfshihet në ngjarje në kuadër të samitit të NATO-s”, shkruan në kumtesë.

Aty tutje thuhet se kjo mundëson krijimin e partneriteteve të reja në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, raporton Klankosova.tv.

“Përfshirja e Kosovës në aktivitetin e organizuar nga Sekretari Blinken dedikuar Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është tregues i fuqishëm i rolit në rritje që po luan Kosova në avancimin e kësaj agjende ne nivel global dhe përkushtimit të saj ndaj parimeve dhe vlerave të mbështetura nga NATO-ja”.

Gjatë qëndrimit në Washington, Osmani do të zhvillojë edhe aktivitete e takime të tjera ku do të diskutohet forcimi i bashkëpunimit me qëllim të kontributit për paqe dhe siguri në rajonin e më gjerë.

Zyra e Presidentes është përzgjedhur në mesin e 3 partnerëve global nga Zyra e Sekretarit Blinken për ta themeluar Qendrën Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Marrëveshja për themelimin e kësaj Qendre është nënshkruar nga Osmani dhe Zyra e Blinkenit në prill 2024, gjatë Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Samiti i NATO-s në Washington, shërben si një platformë për shtetet anëtare dhe shtetet partnere që të bashkëpunojnë në çështjet urgjente të sigurisë globale dhe të riafirmojnë përkushtimin e tyre për një të ardhme më të sigurt.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share