Osmani thotë se presidenti francez nuk ka përgënjeshtruar Sharl Mishelin

“NE NUK DO TË PRANOJMË ASGJË MË PAK SE ANËTARËSIM I PLOTË NË BE”

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani tha sot se, deklarata e presidentit francez, Emanuel Makron për “Evropën me dy shpejtësi”, nuk është përgënjeshtrim i deklaratës së presidentit të Këshillit Evropian, Sharl Mishel. Sipas Osmanit, edhe pse duket ashtu në dëgjim të parë, Makroni ka folur për shpejtësi në aspekt se, nuk do të anëtarësohen të gjitha vendet kandidate njëkohësisht.

“Deklarata e Makronit në shikim të parë tingëllon si të jetë përgënjeshtrim i deklaratës paraprake, por në Bled ishte ministri i tij i Evropës, Lorens Bon dhe këshilltari i tij, Aleksandar Adam, kreator i propozimit francez dhe ata thanë se Makroni ka folur për shpejtësitë në kuptim se nuk do të anëtarësohen të gjithë njëkohësisht, por me shpejtësi, kush kur është i gatshëm, dhe jo Evropë në shtresa, në kuptimin të privilegjuar dhe më pak të privilegjuar. Ne nuk do të pranojmë asgjë më pak se anëtarësim i plotë në BE” – tha Bujar Osmani.

I pyetur se pse Komisioni Evropian përgënjeshtroi porosinë e Mishelit për kornizën kohore për vitin 2030, ai tha se bëhet fjalë për dy institucione të ndryshme.

“KE nuk përgënjeshtroi deklaratën e Mishelit, vetëm thotë – ju vendosni si dëshironi për tajmingun, për ne është e rëndësishme nëse i përmbushni kriteret. Problemi i modelit aktual të integrimit është se është gjithçka ose asgjë, do të thotë asgjë nëse bëheni anëtare dhe gjithçka pasi të anëtarësoheni, ndërsa ajo krijon frustracione. Për këtë, koncepti integrim para anëtarësimit është të kemi përfitime konkrete për qytetarët para anëtarësimit” – deklaroi Osmani.

Kujtojmë se, presidenti i Këshillit Evropian, Sharl Mishel gjatë fjalimit që mbajti në forumin e Bledit tha se, deri në vitin 2030 BE dhe vendet kandidate duhet të jenë të gatshme për zgjerim të ri të unionit. Por, nga ana tjetër, presidenti francez, Emanuel Makron, në një takim vjetor që mbajti të hënën me ambasadorët francez në Paris, tha se, BE duhet fillimisht të reformohet nëse dëshiron të zgjerohet me vende të reja dhe duhet të ndërtojë konsensus mes më shumë se 30 vende. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share