Osmani: Tani është momenti! Të tejkalohet pengesa e fundit për hapjen e kapitujve!

TË PREMTEN SEANCA PARLAMENTARE PËR NDRYSHIMET KUSHTETUESE

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, përmes një postimi në Facebook, ka bërë thirrje që në seancën parlamentare për ndryshimet kushtetuese që është caktuar për të premten më 18 gusht, të tejkalohet pengesa e fundit për hapjen e kapitujve negociues, njofton KlanM.

Ai ka rikujtuar se duhet të ketë përgjegjësi për brezat e ardhshëm.

“Për muaj të tërë, miq dhe ministra nga e gjithë bota erdhën për të na inkurajuar me këshilla miqësore që të fokusohemi në këtë sfidë dhe ta kapërcejmë këtë pengesë të fundit formale para hapjes së horizontit të madh të kapitujve të negociatave. Andaj, ju ftoj që mos të lejojmë tani kur jemi në finale të defokusohemi, ç’orientohemi, por të ruajmë kursin dhe përgjegjësinë prindërore para gjeneratave të ardhshme. Tani është momenti!” – tha Bujar Osmani.

Seanca plenare e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut është caktuar më 18 gusht dhe në të duhet të nis debati për amendamentet për ndryshimet kushtetuese. Ndryshimet, me të cilët Bullgarët duhet të futen në Preambulën e Kushtetutës, sic njofton KlanM, janë kusht për mbajtjen e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare RMV-BE në kuadër rë negociatave me BE-në që nisën në korrik të vitit të kaluar.

Për nevojën e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, si një nga hapat e parë të hapjes së Kushtetutës, duhet shumica prej dy të tretave respektivisht 80 vota të deputetëve, që aktualisht shumica qeverisëse nuk i ka, kurse VMRO-DPMNE-ja opozitare mbetet në qëndrimin se nuk do t`i mbështesë ndryshimet kushtetuese.

Me propozim-nismën që e miratoi Qeveria dhe e dorëzoi në Kuvend, sic njofton KlanM, propozhet që Bullgarët dhe pesë popuj tjerë të shtohen në Preambulën e Kushtetutës. Bëhet fjalë për kroatët, malazezët, sllovenët, hebrenjtë dhe egjiptianët.

Krahas kësaj parashihet edhe një ndryshim kushtetues lidhur me përbërjen e Komitetit për marrëdhënie midis bashkësive ku në vend të 19 anëtarëve sa është aktualisht, numri të rritet në 43 anëtarë. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share