PËRVEÇ LUFTËS NË UKRAINË, PRIORITET DO T’I KUSHTOHET EDHE RAJONEVE TË TJERA TË KRIZËS
Në margjinat e Takimit Ministror të OSBEs-së, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, realizoi takim me Victoria Nuland, Nënsekretaren për Çështje Politike në Departamentin e Shtetit Amerikan. Sipas Osmanit, OSBE mund të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjeve të nevojshme
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në margjinat e Takimit Ministror të OSBEs-së, realizoi takim me Victoria Nuland, Nënsekretaren për Çështje Politike në Departamentin e Shtetit Amerikan, njoftojnë nga MPJ. Osmani dhe Nuland, biseduan për marrëdhëniet e shkëlqyeshme bilaterale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së të cilat vazhdimisht pasurohen e në veçanti iu referuan rezultateve të para konkrete Dialogut Politik të mbajtur së fundmi.
Në kuadër të OSBE-së, Osmani e informoi Nuland për prioritetet e presidencës së ardhshme, me çka theksoi se përveç luftës në Ukrainë, si prioritet numër një, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe rajoneve të tjera të krizës, duke i forcuar më tej misionet paqëruajtëse të OSBE-së në terren.
“OSBE mund të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjeve të nevojshme, për qetësimin e tensioneve, forcimin e parashikueshmërisë dhe revitalizimin e kanaleve të komunikimit dhe dialogut. Të gjitha palët duhet ta njohin dhe plotësisht ta shfrytëzojnë potencialin e kësaj platforme”, theksoi Osmani.
Osmani mes tjerash, paralajmëroi koordinim të ngushtë me ShBA-në, si dhe me të gjitha vendet e tjera pjesëmarrëse të OSBE-së, gjatë realizimit të aktiviteteve në vitin e ardhshëm, për t’iu dalë në ndihmë kategorive më të ndjeshme të njerëzve. /KlanMacedonia/