“S`KA ARSYE PËR TA TAKUAR VUÇIQIN”
Presidentja, Vjosa Osmani, ka kërkuar sanksione ndaj Serbisë nga faktori ndërkombëtar dhe pastaj mund të dialogohet me Serbinë.
Në samitin e liderëve evropianë në Spanjë ku po merr pjesë edhe presidenti I Serbisë Aleksandër Vuciq ajo ka thënë se nuk ka arsye për ta takuar.
“Nuk ka arsye për t’u takuar para se të ndërmerren sanksionet ndaj Vuçiqit, fillimisht sanksionet dhe më pas mund të flasim për të tjerat”, tha Vjosa Osmani.
Osmani ka theksuar se nuk ka të konfirmuar takime të veçanta me liderë, por se shpreson që për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të flasë në samitin e hapur për të gjithë ata.
“Nuk kemi takime të ndara të konfirmuara, por jam e sigurt se do ta kem mundësinë sepse shumica e diskutimeve në këtë samit do bëhen derisa jemi të gjithë në sallë, prandaj shpresoj se do ta kem mundësinë të diskutojmë për këto”, ka shtuar ajo.
Ajo është shprehur optimiste edhe për qëndrimin e Spanjës ndaj Kosovës dhe dënimin e veprimeve të Serbisë.
“Spanja është shtet që po kontribuon në paqe dhe stabilitet në tërë kontinentin, shpresoj se do ta kuptojnë se mbështetja e një agresori për të cilët ka prova të qarta nga 24 shtatori, nuk do të ndihmojë paqen dhe stabilitetin. Shpresoj se Spanja do ndjekë linjën e shteteve të tjera që të marrin masa kundër Serbisë për këtë akt që ka kryer jo vetëm ndaj Kosovës por edhe kundër paqen dhe sigurisë së tërë Evropës”, tha Osmani.
Spanja është një nga 5 vendet anëtare të BE-së që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Raporti. Blerta Dalloshi Berisha