“KORNIZA E NEGOCIATAVE ËSHTË MURI – NUK MË INTERESON NËSE KA KËRKESA TJERA”
Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani ka përgënjeshtruar homologen e tij bullgare, Marija Gabriel, e cila së fundmi deklaroi se, ndryshimet kushtetuese nuk janë kushti i vetëm i anëtarësimit të vendit në BE. Sipas Osmanit, korniza negociuese paraqet mur dhe qeveritë e ardhshme bullgare, qofshin ato edhe më nacionaliste, nuk do të mund të vendosin kushte të reja.
Ministri i Jashtëm Bujar Osmani ka siguruar se, protokollet nuk janë pjesë e kornizës negociuese me BE-në dhe se, qeveritë e ardhshme bullgare, nuk do të mund t’i vendosin kushte të reja anëtarësimit të vendit në BE.
Duke komentuar deklaratën e ministres së Jashtme bullgare, Marija Gabriel se ndryshimet kushtetuese nuk janë kushti i vetëm i rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, Osmani tha gjatë një emisioni në Radion “Kanal 77” se, protokollet kanë qenë në versionin deri në fillim të mbledhjes, por jo edhe në konkluzionet përfundimtare pas tij.
“Do të thotë i kishte nga fillimi i mbledhjes dhe unë e kam atë version, mund t’ua tregoj, në të cilin shkruan Marrëveshja e Prespës, Marrëveshje me Bullgarinë si dhe protokollet. Dhe pas mbledhjes, nuk është më fjalia edhe protokollet. E dini pse? Sepse korniza negociuese është veç më muri dhe unë nuk e kam fare të rëndësishme a do të ketë kërkesa të reja nga cila do qeveri bullgare në të ardhmen e cila mund të jetë edhe më nacionaliste” – tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.
Osmani tha se vendi ka mundur të zgjedhë rrugën identitare – historike dhe të mos shtyhet para çështja me të drejtat e pakicave në lidhje me ndryshimet kushtetuese, por vlerësimi ka qenë se kjo është një rrugë e rrezikshme.
“Historia është çështje subjektive, ne jemi në pozicion asimetrik, bullgarët janë brenda në BE, ne jemi jashtë, nuk do të dalim mirë nëse diskurs bazik me Bullgarinë e kemi historinë dhe identitetin, le të fokusohemi në të drejtat e pakicave, sepse këtu ne jemi më të mirët, këtu jemi dëshmuar. Dhe për këtë vendosëm për ndryshime kushtetuese dhe plan aksional për të drejtat e pakicave” – tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.
Maqedonia e Veriut ende nuk ka miratuar ndryshimet kushtetuese që parashohin futjen e pakicës bullgare në Kushtetutë, pasi një gjë e tillë bllokohet nga opozita tjetër. E nga ana tjetër, kjo pengon që vendi të hap kapitujt e negociatave. /KlanMacedonia/