Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në konferencën për integritetin e informacionit, ku u diskutua për dezinformimin në baza gjinore dhe dhunën onlinë, e cila në fokus kishte dhunën ndaj grave në politikë, foli për rastin që ndodhi ditë më parë në Prishtinë, ku mbeti e vrarë Liridona Ademaj.
Osmani tha se rasti i Liridonës duhet të jetë zgjim i ndërgjegjes kolektive, sepse sipas saj, për fat të keq, për vite me radhë ajo çka po ndodhë është që po normalizohet dhuna.
“Kjo është sfidë e gjithë shoqërisë. Është sfidë e institucioneve, duhet të shkojnë nga ashpërsimi i dënimeve e deri te fuqizimi i mekanizmave, sepse në kuadër të Këshillit për Demokarci dhe të Drejtave të Njeriut të cilin e kemi themeluar si pjesë e Samitit për Demokraci të presidentit Biden, luftimin e dhunës mbi baza gjinore e kemi ndër top prioritetet kryesore dhe janë identifikuar një sërë mungesash se si funksionon zinxhiri i institucioneve në mënyrë që çështja e dhunës mbi baza gjinore të përcillet nga fillet deri te dënimi në fund”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv.
Më tej, ajo tha se është esenciale që dënimet e institucioneve të drejtësisë të mos jenë të tilla që të inkurajojnë dhunuesit.
“Dhunuesit tjerë do të mendojnë që nëse me rreth 2/3 të rasteve qoftë të dhunimeve, qoftë të dhunës në familje, në sistemin tonë të drejtësisë nuk janë shpallur dënime të cilat parashihen me udhëzuesin e vet sistemit tonë të drejtësisë por shpallen dënime më të ulëta, e në qoftë se në një numër të madh të rasteve parashkruhen, sepse nuk gjykohen brenda afatit të paraparë me ligj, ky është inkurajim për dhunë”.
E para e shteti tha se dekurajimi duhet të bëhet kur sistemi i drejtësisë është efektiv, e lufton patriarkatin brenda vet sistemit të drejtësisë dhe nuk i merr për bazë gjithmonë vetëm rrethanat lehtësuese.