PËRFUNDOI SAMITI I OSBE-së NË SHKUP
OSBE-ja është e sigurtë. Ne e shpëtuam organizatën dhe funksionalitetin e saj për njerëzit – tha Ministri i Jashtëm dhe Kryesuesi me OSBE-në, Bujar Osmani. Të gjitha vendet u dakorduan që Malta të jetë kryesuesi i ardhshëm dhe janë vazhduar mandatet e katër pozitave kyce të OSBE-së – bëri të ditur Ministri Osmani, në press-konferencën përfundimtare të Samitit të OSBE-së, i cili gjatë tre ditëve të kaluara u mbajt në Shkup.
Samiti i OSBE-së në Shkup, është ngjarja më e madhe politike në tokën e Maqedonisë dhe ky takim u mbajt në kohë të jashtëzakonshme, kur jemi dëshmitarë të sulmeve të vazdueshme, luftës në Ukrainë dhe vuajtjeve të njerëzve – tha Ministri Osmani në konferencën përmbyllëse për media të Samitit të OSBE – së në Shkup, përcjell KlanM.
“Në shumë mënyra historia përsëritet. Sfidat janë sot dhe nesër. Këtu në Ballkan hamendemi t`i quajmë gjërat – historike, por ky Këshill Ministror tashmë është quajtur – historik. Agresioni rus vuri në pikëpyetje arkitekturën evropiane të sigurisë, por edhe ekzistencën e organizatës, për këtë shkak ky këshill është revolucionar”, tha Bujar Osmani.
S`ka pazare me vlerat e OSBE-së, ishte i prerë Ministri Osmani, teksa ka komentuar nëse ka patur marrëveshje me Rusinë për arritjen e marrëveshjeve të këtë Samit.
“Ne ishim të zëshëm gjatë dënimit të agresionit rus në Ukrainë, por OSBE-në e shndërruam në platformë për përgjegjësi juridike për Rusinë. Nuk kishte tregti me parimet e Organizatës”, tha Osmani.
Malta është zyrtarisht Kryesuesja e re e OSBE-së për vitin 2024. Ministri I Jashtëm i Maltës, u zotua për dhënien fund të konflikteve.
“Duhet të fokusohemi për t`i dhënë fund luftave dhe konflikteve. Agresioni rus në Ukrainë duhet të ndalet. Sic e nisëm udhëtimin tonë të përbashkët, do të përkushtohemi për të përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë tona në të ardhmen”, tha Jan Borg, Ministër i Jashtëm i Maltës.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut, gjatë tri ditëve të kaluara ishte nikoqir i Samitit të OSBE-së ku morën pjesë 57 vende anëtare të organizatës, me mbi 70 delegacione dhe rreth 1.000 pjesëmarrës. Mes tyre edhe 300 gazetarë të akredituar për ngjarjen.
Vendimet e Këshillit Ministror të OSBE 2023, mes tjerash ishin edhe vazhdimet e mandateve të Sekretares së Përgjithshme të OSBE-së, Helga Schmid, Komisionerit të Lartë për Pakicat Nacionale, Kairat Abdrakhmanov, i përfaqësueses së OSBE-së për lirinë e medias, Teresa Ribeiro dhe Mateo Macacchi u rizgjodh në krye të ODIHR-it.
Samiti në Shkup ishte ngjarja e parë pas fillimit të luftës në Ukrainë, ku morën pjesë Lavrovi dhe Blinkeni, por nuk erdhi deri te një takim I përbashkët mes tyre./KlanMacedonia