Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 24 vjetorin e masakrës në Krushë të Madhe, ka thënë se plagët nga kjo masakër janë ende të hapura e disa nga viktimat ende të zhdukura.
Osmani ka thënë se duhet të ruhet e vërteta e Kosovës e cila po mundohet të tjetërsohet.
Tutje, ajo ka thënë se nuk do të ketë paqe në rajon pa u zbardhur fati i viktimave dhe pa u vendosur drejtësia për gjenocidin që Serbia kreu në Kosovë.
“Është vështirë për të gjetur fjalë që e përshkruajnë dhimbjen. Teksa kujtojmë këtë ditë tmerri, plagët e Krushës ende janë të hapura. Për më shumë se 20 vjet fati i Ukshin Hotit dhe viktimave të tjera ende nuk dihet. Ndaj sot dhe gjithnjë nuk do të ndalemi që autorët të dalin para drejtësisë dhe që fati i Ukshin Hotiit dhe viktimave të tjera të zbulohet”.
“Ne duhet të besojmë e të angazhohemi që ta mbrojmë të vërtetën që po mundohet të tjetërsohet. E kemi borxh për gjeneratat e ardhshme që ta ruajmë të vërtetën”.
“E drejta është se Kosova bëri luftë për paqe, e Serbia bëri gjenocid. Nuk mund të ketë paqe në rajon pa zbardhjen e fatit të zhdukurve dhe pa vendosur drejtësinë. Sot Krusha frymon lirshëm si çdo pjesë e Kosovës, por me plagë të hapur. Ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën por mund ta ndryshojmë të ardhmen, për respektin për të gjithë ata që dhanë jetën për liri”, tha Osmani.
Kryetari i Komunës se Rahovecit Smalj Latifi, tha se Krusha e dëshmon “çmendurinë” e Serbisë dhe masakrat që ajo ka kryer mbi njerëzit e Kosovës.
Tutje, Latifi ka bërë thirrje për drejtësi, duke thënë se “drejtësia e vonuar nuk është drejtësi”.
“Lufta për çlirim e popujve të pushtuar është detyrim. Edhe lufta e popullit tonë ishte e domosdoshme. Prandaj populli i mbështeti bijtë dhe bijat e veta. Serbia aplikoi politikën e tokës së djegur, përdori metodat më të ashpra. Dëshmi e tëre kësaj çmendurie është kjo lëndinë”.
“Liria e ka çmimin e gjatë, rrënjët e lirisë rriten e forcohen nga gjaku i derdhur. Ishim të vetëdijshëm për peshën e madhe të lirisë. U vranë gra e fëmijë, të pafajshëm, ata vetëm një faj e kishin që ishin shqiptarë. Trupat e njerëzve tanë i dogjën e i shkrumbuan”.
“Vazhdojnë të thërrasin për drejtësi, duhet t’i dëgjojë perëndimi. Kërkojmë që luftëtarët e lirisë të lihen të lirë, këtë ju kërkojmë në emër të gjakut, të sakrificës, të lotëve të nënës. Drejtësia e vonuar nuk është drejtësi. Duhet të identifikohen kriminelët”, tha ai.
Ejup Kabashi, përfaqësues i shoqatave të dalura nga lufta, tha se këto shoqata do të jenë gjithmonë pranë familjarëve të viktimave.
“Unë personalisht në emër të shoqatave ju premtoj dhe ju garantoj se do të jemi përherë prane juve. Edhe një herë po ju thërras për motiv dhe punë që të ndërtojmë të ardhmen fal gjakut që e dhanë për liri”, tha ai.
Më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.
Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat më të mëdha e kryer mbi popullsinë civile shqiptare me vrasje masive që u bënë prej policisë dhe ushtrisë serbe.