Në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës, Ministri i Jashtëm i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, sot mbajti ligjëratë me temë: “Integrimi në Bashkimin Evropian dhe ikja e të rinjve”. Dekani i Fakultetit Juridik, Safet Emruli i uroi mirëseardhje Ministrit në emër të Universitetit, teksa më pas e prezantoi veprimtarinë e Bujar Osmani duke theksuar se ka qenë bartës i funksioneve të rëndësishme shoqërore-politike në RMV.
Ai po ashtu theksoi se tema që ka zgjedhur Ministri prek aktualitetin dhe duke e marrë parasysh përvojën e Ministrit në sferën publike e politike, shumë qartë i trajton shkaqet dhe instrumentet që propozon për parandalimin e ikjes së të rinjve.
Në këtë ligjëratë, Osmani theksoi se tema e sotme është shumë aktuale, si pjesë e agjendës së bashkëbisedimit me të rinjtë lidhur me çështjen e integrimit në Bashkimin Evropian dhe ikjen e të rinjve dhe si ata të bëhen pjesë aktive e procesit të integrimit, për shkak se integrimi në Bashkimin Evropian nuk është vetëm obligim dhe përgjegjësi e Qeverisë, por duhet të jenë të përfshira të gjitha shtresat e shoqërisë.
“Për ne, e vetmja mënyrë për të rritur cilësinë e jetës, për të rritur standardin e jetës, për t’i mbajtur njerëzit këtu, për t’i kthyer ata që kanë shkuar, është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Çdo premtim tjetër, çdo politikë tjetër, qoftë edhe e përpunuar nga njerëz më të mençur në botë, nga kokat më të mençura të Harvardit ose të Oksfordit, nuk e shpëtojnë Maqedoninë e Veriut nga ikja e njerëzve ose nuk e përmirësojnë standardin jetësor. Ne nuk kemi alternativë tjetër. Po u vonua anëtarësimi, Maqedonia e Veriut, do të zbrazet, ashtu siç po zbrazen edhe vendet tjera të cilat aspirojnë për BE. Nëse ne i lëshojmë vendet tona, për 100 vite, këtu nuk do të jetojmë ne, do të jetojnë të tjerët. Këtu është e rëndësishme që e gjithë shoqëria të flasë me një zë, sa i takon kësaj çështjeje, sepse BE-ja nuk është më një ideologji politike, një vendim politik i një grupi të njerëzve të cilët ashtu e kanë vendosur. BE-ja është indi lidhës i narrativëve etnike dhe politike në një shoqëri multietnike.” – tha Osmani.
Pas ligjëratës, studentët patën mundësi që t’i parashtrojnë pyetje te ndryshme Ministrit, të cilat kanë të bëjnë me integrimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian, duke filluar nga pengesat me të cilat ata ballafaqohen e deri te konkretizimi i tyre që edhe Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian për një periudhë kohore sa më të afërt.